Konsolidimi financiar i bankave/ Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së miratoi rregulloren për raportin neto

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e fundit disa vendime të rëndësishme.

Sipas BSH-së, u miratua Rregullorja “Për raportin neto të financimit të qëndrueshëm të bankave”.

Objekt i kësaj rregulloreje është përcaktimi i kritereve dhe rregullave për llogaritjen e raportit neto të financimit të qëndrueshëm të bankave dhe i nivelit minimal të raportit neto të financimit të qëndrueshëm. Kjo rregullore vjen në kuadër të përafrimit të mëtejshëm të kërkesave të Bankës së Shqipërisë me kërkesat e Komitetit të Bazelit dhe të rregulloreve evropiane për administrimin e rrezikut të likuiditetit, në përmbushje të objektivave strategjikë të Bankës së Shqipërisë për implementimin e kërkesave të Bazel III.

Gjithashtu u miratuan disa ndryshimeve në rregulloren “Për raportimet në Bankën e Shqipërisë sipas sistemit raportues të unifikuar”.

Këto ndryshime synojnë përshtatjen e sistemit raportues të shoqërive të kursim-kreditit dhe Unioneve të tyre, me kërkesat e rishikuara  të rregullores 105/2020 “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e shoqërive të kursim-kreditit dhe të unioneve të tyre”. Kjo  do të sigurojë  më tepër informacion në funksion të  mbikëqyrjes nga jashtë të këtyre subjekteve, si dhe  më tepër të dhëna me natyrë statistikore.

Ndërsa rregullorja “Për funksionimin e Regjistrit të Kredive në Bankën e Shqipërisë, si dhe kushtet dhe procedurat për njohjen, përdorimin dhe rishikimin e të dhënave që administrohen në të”, ka si qëllim të rregullojë funksionimin e sistemit të ri të Regjistrit të Kredive, kushtet dhe procedurat e nevojshme për njohjen, përdorimin dhe rishikimin e të dhënave, si dhe tarifat për përdorimin e të dhënave që raportohen pranë këtij sistemi. Regjistri i Kredive është ndërtuar në vitin 2008 dhe gjatë periudhës së fundit Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një projekt për përmirësimin e tij, i cili do të fillojë funksionalitetin në dhjetor 2020.

Sistemi i ri do të ofrojë një infrastrukturë teknologjike të zhvilluar, do të rrisë eficiencën e përdorimit të tij nga të gjitha grupet e interesit, si dhe do të adresojë problematikat e ngritura nga bankat, institucionet financiare jo banka, shoqëritë e kursim kreditit dhe unionet e tyre. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.