Masat antiCovid/ Pika e kalimit kufitar të Kapshticës mbetet e mbyllur deri më 14 dhjetor

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë si dhe stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë përcollën sot njoftimin e autoriteteve të Policisë Greke të cilat kanë njoftuar shtyrjen e afatit të bllokimit të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, deri në datën 14.12.2020.

Njoftimi vjen  në vijim të masave të marra nga qeveria greke mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19.

“Sqarojmë se deri në këtë datë, nuk do të lejohet lëvizja e këmbësorëve dhe e mjeteve (vetura, autobusë dhe kamionë) si në hyrje dhe në dalje të Greqisë”, thuhet në njoftim.
Policia Kufitare e Kapshticës, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin drejt kësaj pike kalimi dhe të orientohen në drejtim të Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, në të cilën lëvizja vijon normalisht.
/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.