TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Kompania e Dytë e Policisë Ushtarake certifikohet si plotësisht operacionale për Taskforcën e Përbashkët të Gatishmërisë Shumë të Lartë (Very High Readiness Joint Task Force, VJTF), njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.
Vlerësimi i kompanisë u krye nga një grup oficerësh madhorë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, thekson MM.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, “në Bazën Ajrore të Kuçovës u krye faza e dytë e certifikimit, e cila konsistonte në vlerësimin në terren për detyrat që Policia Ushtarake kryen. Veprimet operacionale që u testuan kishin të bënin kryesisht me rënien në pritë gjatë shoqërimit të një mjeti të transportit publik, kufizimin e zonës si edhe kryerja e raporteve përkatëse. Ngritjen e pikave të kontrollit dhe menaxhimi i turmave, shoqërimin e personaliteteve të larta, ndërhyrja në banesë”.
“Trupat tanë do të jenë pjesë e task forcës që përbëhet nga rreth 30 mijë trupa aleate, të gatshëm për t’u dislokuar brenda 2-3 ditëve, kudo ku NATO ka nevojë. Kompania e Dytë e Policisë Ushtarake do jetë pjesë e kësaj task force për vitin 2021, e cila do të drejtohet nga Turqia”, thekson MM.
“Për vitin 2020 Taskforca e Përbashkët e Gatishmërisë Shumë të Lartë drejtohet nga Polonia dhe pjesë e saj është Kompania e Dytë e Batalionit Komando të Forcës Tokësore”, përfundon Ministria e Mbrojtjes. /r.e/























