Rekrutimi dhe përzgjedhja e hetuesve të BKH/ SHBA mbështesin plotësisht procesin objektiv dhe të bazuar në merita të Shqipërisë

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ “SHBA mbështesin plotësisht procesin objektiv dhe të bazuar në merita të Shqipërisë për të rekrutuar dhe përzgjedhur hetuesit e BKH-së”, bëri të ditur sot me anë të një postimi në rrjetet sociale Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

“Këto standarde të zbatimit të ligjit të aftësive fizike dhe intelektuale janë thelbësore që BKH-ja të përmbushë mandatin e saj”, theksoi Ambasada e SHBA, e cila publikoi edhe njoftimin e djeshëm të SPAK, ku theksohet se, “Byroja Kombëtare e Hetimit, me qëllim përmbushjen e detyrimeve të saj ndaj popullit shqiptar, duhet t’ju përmbahet standardeve më të larta”.

“Me këtë qëllim, kriteret për t’u bërë një hetues janë të vështira dhe janë zgjedhur të tilla për të krijuar një grup unik dhe të përzgjedhur hetuesish. Të gjithë hapat e procesit të përzgjedhjes, shumë prej tyre të ndërtuar sipas modelit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në Shtetet e Bashkuara, janë rishikuar prej një Komisioni Ndërkombëtar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparencë”, thekson SPAK.

“Këta hapa përfshijnë verifikimin e aplikuesve për përmbushjen e kritereve, provimin me shkrim të arsyetimit logjik, testin fizik, shkrimin e esesë, intervistën me panel, testin e poligrafit dhe verifikimin e pasurisë dhe figurës”, shton njoftimi i SPAK.

“Ndërkohë që kandidatët kanë hedhur këta hapa, janë duke u mbikëqyrur prej një komisioni të përbërë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të përzgjedhur në mënyrë rastësore, dhe prej Komisionit Ndërkombëtar për të siguruar që këto faza kryhen dhe pikëzohen në mënyrën më të drejtë dhe transparente të mundshme”, thuhet në njoftim.

“SPAK beson se këto standarde të larta do të jenë faktorë të rëndësishëm për të siguruar që hetuesit e BKH-së janë të përgatitur dhe të aftë për të kryer punën e vështirë që i pret para”, përfundon njoftimi.  /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.