TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Bregu shqiptar nuk është prekur deri në këto çaste nga cikloni që ka goditur ishujt grekë në bregdetin e Jonit.
Drejtoria e Përgjithshme Detare bën të ditur se “po monitoron situatën dhe është në kontakt me autoritetet greke dhe kapitenerinë e Korfuzit dhe po merr informacione për forcën dhe lëvizjen e ciklonit”.
“6-8 orët e ardhshme janë të rëndësishme dhe ka kërkuar nga Kapiteneritë e Porteve dhe Autoritetet Portuale të Sarandës, Himarës dhe Vlorës që të japin informacion të detajuar çdo moment dhe të monitorojnë mjetet lundruese qe do kërkojnë të dalin në det”, – theksoi Drejtoria e Përgjithshme Detare.
Sipas saj, ishujt grekë të Jonit Zakynthos, Ithaca dhe Kefalonia janë goditur nga cikloni me forcën e një uragani dhe ka lënë shumë dëme në varka, mole dhe përmbytje rrugësh.
Drejtoria e Përgjithshme Detare me qendër në Durrës njoftoi dje se në datat 18-19 shtator moti në zonën e detit Jon në veri do të përkeqësohet.
“Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë dhe që udhëtojnë në destinacion zonën e detit Jon i veriut, më konkretisht në zonën e Italisë së Jugut dhe Greqisë, duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të qenë të sigurt dhe parandaluar çdo rrezik të mundshëm për shkak të kushteve të përkeqësuara të motit”, theksoi Drejtoria Detare.
Drejtoria e Përgjithshme Detare ka publikuar edhe disa foto nga dëmet e shkaktuara nga cikloni në ishujt grekë të detit Jon./k.s//a.a//r.e/























