TENIS – Osaka tërhiqet nga French Open për shkak të lëndimit

PARIS, 18 shtator /ATSH-AA/ – Kampionia e US Open, tenistja japoneze Naomi Osaka është tërhequr nga French Open për shkak të lëndimit të ligamentit të këmbës së majtë.

Osaka iu bashkua mbrojtëses së titullit kampion Ash Barty, e cila më herët për shkak të pandemisë së koronavirusit u tërhoq nga pjesëmarrja në kampionatin e French Open, e cila fillon më 27 shtator në Paris.

Grand Slam përjetoi një goditje tjetër, pasi organizatorët e turneut njoftuan reduktim të mëtejshëm të pranisë së spektatorëve për shkak të përhapjes së epidemisë së koronavirusit në Francë.

Kufiri i ri, i përcaktuar nga Departamenti i policisë së Parisit është 5 000 spektatorë në ditë.

“Është e rëndësishme për jetën sportive, sociale dhe ekonomike të vendit që një ngjarje madhore si Roland-Garros të mund të mbahet duke respektuar domosdoshmëritë shëndetësore”, thanë organizatorët.

Osaka, e cila radhitet si tenistja e tretë në botë, dëmtoi ligamentin muajin e kaluar në Western&Southern Open, gjithashtu në New York dhe u tërhoq nga finalja e këtij turneu që të mund të luaj në US Open të cilën e fitoi.

“Për fat të keq nuk do të jem në gjendje të luaj në French Open këtë vit”, tha Osaka në Twitter. “Ligamenti im është akoma i lënduar, kështu që nuk do të kem kohë të përgatitem. Këto dy turne erdhën shumë pranë njëri-tjetrit për mua këtë herë”, tha ajo.

Në karrierën e saj të deritanishme, 22-vjeçarja japoneze ka fituar tre turne Grand Slam, të tre në fushë të fortë. Ajo ka dy tituj të US Open dhe një Australian Open.  /os/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.