TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Aplikimet për hetuesit specialë të BKH-së do të qëndrojnë të hapura deri më 29 shtator.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka publikuar sot mesazhin që drejtoresha e BKH-së Aida Hajnaj u ka bërë të gjithë atyre që janë të interesuar të aplikojnë.
Hajnaj ka ritheksuar që aplikimi për pozicionin e lirë të punës në BKH është një mundësi shumë e mirë për t’u zgjedhur si pjesë e ekipit të ri.
“Do të doja të ritheksoja edhe një herë që aplikimi për Pozicionin e Lirë të Punës për “Hetuesin” e BKH-së është një mundësi shumë e mirë për t’u zgjedhur si pjesë e ekipit të ri që do të punojë ngushtësisht dhe nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm për të hetuar veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe do të garantojë një strukturë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm”, është shprehur Hajnaj.
“SPAK iu bënë thirrje të gjithë kandidatëve ose kandidateve që demonstrojnë lidership, integritet, profesionalizëm dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” të aplikojnë për këtë pozicion pune, para datës 29 shtator 2020”, ka theksuar Hajnaj.
“Ju sigurojmë që procesi i përzgjedhjes do të jetë i drejtë, objektiv dhe transparent. Ne duam të përzgjedhim kandidatët/et më të mirë. Ju inkurajoj të aplikoni”, ka përfunduar ajo.
/gj.mima//r.e/























