Ballina Flash

“Çfarë bëri Turi?”/ Rreth 12 mijë maturantë dhanë përgjigjen e saktë

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Rreth 12 mijë maturantë e kanë dhënë përgjigjen e saktë për pyetjen e diskutuar në testin e Maturës në lëndën e Gjuhë-Letërsisë që u dha në muajin qershor.

Pyetja: Barka filloi të rrëshqiste me shpejtësi përgjatë lumit të rrëmbyer, ndërsa katër njerëzit që ndodheshin në të bërtisnin nga euforia. Zemrat e tyre rrihnin fort, ndërsa manovronin me shkathtësi lopatat përmes ujërave të trazuara. Madje edhe Turi, i cili fillimisht ishte ndier i shqetësuar në lidhje me udhëtimin me barkën, e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të. Papritur ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara.

Në test shtroheshin disa pyetje dhe maturantët duhet të zgjidhnin fjalinë që mund të vijojë në të njëjtin stil aksionin e nisur në paragrafin e dhënë më sipër.

Përgjigja e saktë që duhet të rrethohej nga maturantët sipas hartuesve të testit ishte: Turi u hodh në të djathtë, për të shmangur shkëmbin dhe gati e përmbysi varkën.

Këto pyetje maturantët i cilësuan jashtë programit, subjektive dhe që nuk kishin kuptim logjik.

Por ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit Besa Shahini deklaroi sot se rreth 12 mijë maturantë e kanë dhënë përgjigjen e saktë në këtë pyetje.

“Për të gjithë ata që akoma pyesin se “Çfarë bëri Turi?”, dua t’ju rikujtoj se janë rreth 12 mijë maturantë (17-18-vjeçarë) që e kanë dhënë përgjigjen e saktë në këtë pyetje. Pra, gjithandej në Shqipëri ka të rinj më mirë të arsimuar se sa ata që po përpiqen të kritikojnë reformat e PS-së në arsim”, u shpreh ministrja Shahini.

Mbi 32 mijë nxënës dhanë këtë vit provimet e Maturës./a.gjonaj//a.a//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjonaj: Modernizim i sistemit të menaxhimit të çështjeve përmes zbatimit të teknologjive të reja
Artikulli tjetërPARIS – Attal: Franca po përgatitet për të gjithë skenarët e post Brexit