Ballina Aktualitet

Gjonaj: Modernizim i sistemit të menaxhimit të çështjeve përmes zbatimit të teknologjive të reja

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ U mbajt sot tryeza e parë për konsultimin mbi dy projektvendimet e Këshillit të Ministrave për ngritjen e Qendrës së Teknologjisë dhe Informacionit dhe për Sistemin e Drejtësisë dhe për miratimin e rregullave për politikat e përgjithshme shtetërore të sistemit të teknologjisë së informacionit për sistemin e drejtësisë.

Ministrja e Drejtësisë,  Etilda Gjonaj theksoi se, “këto dy projektvendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me finalizimin e akteve të fundit të paketës ligjore të reformës në drejtësi”.

“E kemi patur rekomandim, por edhe shqetësim bashkë me KLGJ, ngritjen e Qendrës së Teknologjisë dhe Informacionit, së bashku me politikat e teknologjisë së informacionit në sistemin e drejtësisë”, nënvizoi ajo.

“Nëpërmjet këtyre projektvendimeve do të arrihet modernizimi i sistemit të menaxhimit të çështjeve përmes zbatimit të teknologjive të reja, duke siguruar eficiencë më të lartë nëpërmjet integrimit të sistemeve të reja që do të përmirësojë administrimin dhe qarkullimin e dokumentacionit dhe informacionit në sistemin e drejtësisë”, theksoi Gjonaj.

“Kjo përkthehet në më tepër cilësi, saktësi dhe profesionalizëm edhe në hallkën fundore të përfituesit, tek qytetari”, nënvizoi ajo.

/gj.mima//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Qipro bllokon sanksionet e BE-së për Bjellorusinë
Artikulli tjetër“Çfarë bëri Turi?”/ Rreth 12 mijë maturantë dhanë përgjigjen e saktë