Ballina Flash

Taskforca kryen mbi 1300 kontrolle në fundjavë, gjoba dhe pezullim aktiviteti për subjektet që shkelën masat ndaj COVID-19

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Taskforca antiCOVID ka vijuar punën në terren me masa të shtuara edhe në fundjavë, për kontrollin dhe monitorimin e zbatimit të protokolleve të sigurisë për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Gjatë kësaj fundjave Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka realizuar mbi 1300 inspektime dhe monitorime në të gjitha qarqet e vendit, janë vendosur 3 masa administrative me gjobë dhe pezullim aktiviteti, në subjekte të cilat janë gjetur në shkelje, duke mos zbatuar protokollet e miratuara: 1 masë administrative me gjobë në restorant dhe 2 vendime për pezullim të aktivitetit në institucione publike.

Në total gjatë kësaj periudhe të epidemisë janë kryer mbi 133 mijë inspektime dhe monitorime dhe janë vendosur 522 masa administrative me gjobë dhe pezullime aktiviteti për subjekte të gjetura në shkelje të protokolleve dhe rregullave për parandalimin e SARS COV2. Që prej vendosjes së maskës me detyrim në ambientet e mbyllura, 35 individë janë gjobitur për mosmbajtje të maskës në ambiente publike të mbyllura.

Ministria e Shëndetësisë u kërkon bizneseve të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë dhe vendimin i cili ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, etj, si dhe ndalimin e muzikës për të gjitha aktivitetet pas orës 20:00. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin social, masat e higjienës dhe vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu, fton bizneset dhe njësitë akomoduese të respektojnë protokollet e sigurisë: Distancën fizike, maskën e detyrueshme në shërbim dhe të kryejnë dezinfektimin dhe higjienizimin e vazhdueshëm të ambienteve. Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi. z.tosku/ /a.g//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFRANCË – Castex: Të mos ulim vëmendjen përballë COVID-19
Artikulli tjetërKëmbimi valutor/ Leku fiton pikë ndaj të gjitha monedhave të huaja