TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin “Për miratimin e çmimeve dhe kategorive që përfitojnë falas tekstet e botuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën për vitin shkollor 2020-2021”.
Në vendim thuhet se tekstet shkollë falas dhe ato plotësuese bëhen me qëllim të mbështetjes së mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë ndërsa ngarkohet Qendra e Botimeve për Diasporën për të botuar dhe shpërndarë tekstet për kategoritë përfituese.
Në vendim sqarohet po ashtu se kategoritë që përfitojnë falas tekstet shkollore dhe ato plotësuese të botuara, të siguruara nga Qendra e Botimeve për Diasporën, janë nxënësit dhe mësuesit, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin e procesit mësimor dhe përzgjedhjen e arsimtarëve në diasporë”.
Tekstet shkollore të botuara, të siguruara nga Qendra e Botimeve për Diasporën, duhet të jenë të pajisura nga ana e shtëpisë botuese me logon dhe pullën. Çmimet e teksteve shkollore dhe ato plotësuese për mësimdhënien në diasporën shqiptare vendosen në kopertinën e tyre.
Efektet financiare të këtij vendimi përballohen nga buxheti i miratuar për Qendrën e Botimeve për Diasporën ndërsa ngarkohen ministria e Financave dhe Ekonomisë, ministri i Shtetit për Diasporën dhe Qendra e Botimeve për Diasporën për zbatimin e këtij vendimi. z.tosku/j.p/r.e/























