Ballina Bota

SHBA – Duda: Asnjë plan amerikan për armë bërthamore në Poloni

VARSHAVË, 23 qershor /ATSH-PAP/ – Presidenti polak Andrzej Duda, pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, deklaroi se nuk ka absolutisht asnjë plan që amerikanët të dërgojnë armët e tyre bërthamore në Poloni dhe se çështja e armëve bërthamore nuk është diskutuar kurrë në bisedimet mes dy presidentëve.

Gjatë një seance pyetjeje dhe përgjigjesh në Facebook, presidenti polak u pyet nëse SHBA-ja do të dërgonte armët e saj bërthamore në Poloni.

Duda iu përgjigj se “nuk kishte absolutisht plane të tilla”.

“Tema e armëve bërthamore nuk ka qenë kurrë objekt i bisedimeve të mia me presidentin e SHBA Donald Trump, as më parë dhe as tani”, shtoi ai.

Presidenti Andrzej Duda vizitoi Shtëpinë e Bardhë, dhe pas takimit me Trump, u zhvilluan bisedime edhe midis delegacioneve./   /os/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAUSTRALI – “Qantas” shkurton 6 000 vende pune
Artikulli tjetërBRUKSEL – Barnier: Të ruhet integriteti i tregut të brendshëm të BE-së