Ballina Aktualitet

Vota e shqiptarëve jashtë vendit/ Majko: Duhet të shprehin dëshirën për të votuar

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ “Lista e votuesve jashtë vendit do të jetë bazuar mbi regjistrin e shtetasve që banojnë jashtë vendit, por kjo nuk do të jetë automatikisht listë votuesish. Kjo, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse duhet të shprehet vullneti nga ana e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit”.

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, u shpreh në një intervistë televizive se shqiptarët e diasporës duhet të shprehin dëshirën për të votuar.

“Tani unë besoj që shqiptarët janë shpërndarë në të gjithë vendet e botës. Dikush që jeton në një cep të rruzullit sikur të thirrej për të votuar thjesht se jeton jashtë vendit, pa shprehur ai vullnetin së pari, do të ishte një ndërmarrje e kotë. Së dyti, do të ishte një shpenzim ekstravagant dhe së treti, nuk do të kishte asnjë rezultat”, u shpreh Majko.

Majko foli edhe  për modelin që do të ndiqet për votën e diasporës.

“Bazuar në këtë sistem që kemi, ekspertët po shikojnë disa diskutime. Për shembull, propozimi që erdhi nga grupi ndërinstitucional, që u krijua me ekspertët e institucioneve të qeverisë shqiptare, ka qenë që të votohet në 12 qarqe. Por ekspertët e komisionit të Reformës Zgjedhore, mbase mund të ecin me idenë që të votohet në një qark, siç është modeli kroat”, shprehet Majko.

Në lidhje me deklaratën e Damian Gjiknurit që foli për 20-30 mijë votues nga Diaspora, Majko flet për shifra më të larta, si në nivelin e Kosovës.

I pyetur nëse është menduar se ku do të numërohet vota dhe si do të numërohet, Majko u shpreh se: “Pa diskutim që nuk do të bëhet në godinën e PS-së, por në KQZ. Distanca midis godinave i ndan një bahçe, por nuk mendoj se bahçja do të jetë një arsye për të manipuluar zgjedhjet”. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Dezinfektohen këndet e lojërave dhe sheshet rekreative për fëmijët në kryeqytet
Artikulli tjetërKthim në identitet për Kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, Finiq