TIRANË, 23 qershor/ATSH/ “Lista e votuesve jashtë vendit do të jetë bazuar mbi regjistrin e shtetasve që banojnë jashtë vendit, por kjo nuk do të jetë automatikisht listë votuesish. Kjo, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse duhet të shprehet vullneti nga ana e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit”.
Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, u shpreh në një intervistë televizive se shqiptarët e diasporës duhet të shprehin dëshirën për të votuar.
“Tani unë besoj që shqiptarët janë shpërndarë në të gjithë vendet e botës. Dikush që jeton në një cep të rruzullit sikur të thirrej për të votuar thjesht se jeton jashtë vendit, pa shprehur ai vullnetin së pari, do të ishte një ndërmarrje e kotë. Së dyti, do të ishte një shpenzim ekstravagant dhe së treti, nuk do të kishte asnjë rezultat”, u shpreh Majko.
Majko foli edhe për modelin që do të ndiqet për votën e diasporës.
“Bazuar në këtë sistem që kemi, ekspertët po shikojnë disa diskutime. Për shembull, propozimi që erdhi nga grupi ndërinstitucional, që u krijua me ekspertët e institucioneve të qeverisë shqiptare, ka qenë që të votohet në 12 qarqe. Por ekspertët e komisionit të Reformës Zgjedhore, mbase mund të ecin me idenë që të votohet në një qark, siç është modeli kroat”, shprehet Majko.
Në lidhje me deklaratën e Damian Gjiknurit që foli për 20-30 mijë votues nga Diaspora, Majko flet për shifra më të larta, si në nivelin e Kosovës.
I pyetur nëse është menduar se ku do të numërohet vota dhe si do të numërohet, Majko u shpreh se: “Pa diskutim që nuk do të bëhet në godinën e PS-së, por në KQZ. Distanca midis godinave i ndan një bahçe, por nuk mendoj se bahçja do të jetë një arsye për të manipuluar zgjedhjet”. /j.p/r.e/
