TIRANË, 9 maj/ATSH/ Komisioni Europian dhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë thanë sot se “nuk kanë qenë të përfshirë në përgatitjen, hartimin ose konsultimin e draftraporteve në lidhje me planet për kultivimin dhe legalizimin e kanabisit në Shqipëri për qëllime mjekësore”.
“Pas kërkesave të disa medieve, ne duam të sqarojmë se Komisioni Europian dhe Delegacioni i BE nuk kanë qenë të përfshirë në përgatitjen, hartimin ose konsultimin e draftraporteve në lidhje me planet për kultivimin dhe legalizimin e kanabisit në Shqipëri për qëllime mjekësore”, thuhet në një njoftim për shtyp të delegacionit të BE-së në Tiranë.
Pas këtij njoftimi, reagoi edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila përshëndeti deklaratën e BE-së për këtë çështje. “Bravo Bashkimi Europian, për distancimin e qartë nga fushata dezinformuese e Edi Ramës në keqpërdorimin e imazhit të BE-së për të justifikuar rikanabizimin e vendit për efekt elektoral”, tha Kryemadhi. /j.p/






















