Meta: Beteja e parë dhe e fundit e çdo presidenti është mbrojtja e Kushtetutës

TIRANË, 4 maj/ATSH/ “Beteja e parë dhe e fundit e çdo presidenti është mbrojtja e Kushtetutës”, deklaroi sot Presidenti Ilir Meta.

Në një intervistë, Meta u shpreh se, “unë në çdo kohë përpiqem të bëj gjënë e duhur. T’i qëndroj fort bindjeve të mia dhe detyrës sime, pavarësisht se cila është ajo në kuptimin e institucionit që përfaqësoj. Por është e padiskutueshme që në të gjitha kohët, edhe nëse ka pasur luftë apo jo, nuk i kam zgjedhur unë: – ato kanë qenë të imponuara, – kanë vënë në diskutim bindjet e mia dhe detyrën time, ndaj edhe unë nuk u jam shmangur asnjëherë. Pra gjithmonë unë kam qenë një kërkues i bashkëpunimit, në respekt të Kushtetutës, në përmbushje të objektivave të integrimit evropian të vendit, të çështjeve më madhore”.

Meta theksoi se, “kjo është beteja për mbrojtjen e Kushtetutës që është beteja e parë dhe e fundit e çdo Presidenti për sa kohë ai është në detyrë”.

I pyetur nëse është kjo beteja më e fortë në të gjithë karrierën e tij, Meta tha se, “nuk e di, se nuk mendoj që jemi në fund të karrierës, kështu që… Do të dëshiroja që të ishte e fundit në kuptimin e rivendosjes së normalitet kushtetues, ligjor, politik, ekonomik, shoqëror në vend, sepse kur bëhet fjalë për betejën për mbrojtjen e Kushtetutës, nuk bëhet fjalë thjesht për të mbrojtur një dokument, por bëhet fjalë për të mbrojtur të gjitha liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë, cenimi i të cilave i detyron ata që të zbrazin vendin tonë siç praktikisht ka ndodhur dhe po ndodh”.

I pyetur mbi sjelljen e tij nga protesta e 2 marsit, Meta tha se, “ne duhet të jemi në koherencë me të gjitha zhvillimet dhe me të gjithë sfondin e ngjarjeve, ku kanë ndodhur edhe qëndrimet apo sjelljet politike që mund të duken jo shumë koherente, ndërkohë që koherenca jam i sigurt që është e plotë, ndërkohë sikurse është përgjegjshmëria në adresimin e sfidave më të mëdha”.

“Me vendosjen e gjendjes së situatës së jashtëzakonshme, sikurse është kjo situatë për shkak të pandemisë, padyshim që përballimi në një mënyrë sa më mbarëvajtëse dhe bashkëpunuese të kësaj situate, ka qenë dhe mbetet detyra më kryesore e të gjithëve mendoj unë, jo vetëm e Presidentit të Republikës, jo vetëm e qeverisë që padyshim ka më shumë detyra, duke përfaqësuar tërësisht ekzekutivin, por edhe e opozitës, edhe të gjithë grupeve të interesit dhe vetë qytetarëve”, theksoi Meta.

“Kështu që sjelljet e mia duhen parë gjithmonë në këtë kontekst, të interesit më të mirë të përbashkët për ta tejkaluar këtë situatë dhe gjithmonë unë kam bërë thirrje që edhe në këtë situatë duhet të ruajmë ligjshmërinë, duhet të respektojmë kushtetutshmërinë, sepse Kushtetuta jonë i ka parashikuar edhe këto raste të jashtëzakonshme, të veçanta, në mënyrë që të ruajmë edhe shëndetin e qytetarëve, por edhe një balancë me ruajtjen dhe mbrojtjen e lirive të tyre, pavarësisht se disa prej tyre edhe mund të kufizohen, pikërisht për të mbrojtur shëndetin e tyre”, u shpreh Meta.

I pyetur se çfarë do të ndodhë pas kërkesës së paraqitur Këshillit të Lartë Gjyqësor për ndërprerjen e mandatit të Ardian Dvoranit, Meta tha se, “se çfarë do të ndodhë, kjo është diçka tjetër që nuk varet vetëm nga unë. Së pari duhet të keni parasysh konsideratën në qoftë se e keni lexuar të plotë kërkesën që Institucioni i Presidentit i ka bërë Këshillit të Lartë Gjyqësor, por jo vetëm atij, por edhe Gjykatës së Lartë, Kuvendit të Shqipërisë, Gjykatës Kushtetuese”.

“Është e qartë se mandati i zotit Dvorani ka përfunduar që prej shtatë vitesh, kur kryetari i Gjykatës së Lartë i asaj kohe i ka dërguar njoftimin zyrtar Presidenti të Republikës së asaj kohe, zotit Nishani për përfundimin e mandatit të tij dhe për zëvendësimin e tij. Bazuar mbi këtë akt, Presidenti Nishani konform Kushtetutës ka propozuar emrin e një gjyqtari tjetër për të zëvendësuar pikërisht zotin Dvorani”, theksoi Meta.

“Kjo gjë nuk ka ndodhur, sepse në atë kohë Kuvendi nuk e ka miratuar gjyqtarin tjetër. Dhe për shkak të shumë arsyeve të tjera që janë aty në letër, si dhe për faktin që Gjykata e Lartë u zbraz dhe mbeti vetëm me një anëtar në detyrë, por që i kishte përfunduar mandati, kemi këtë situatë të paprecedentë ndoshta në të gjithë kontinentin tonë, por menjëherë me zgjedhjen e të parit anëtar të Gjykatës së Lartë dhe dekretimin e tij, mandati i tij është në çdo aspekt i shuar apo i përfunduar, nga ana kushtetuese, ligjore, morale, justifikuese, e kështu me radhë”, u shpreh Meta.

“Për më tepër, të mos harrojmë se nuk është një, por kemi tre anëtarë të Gjykatës së Lartë. Kështu që për mua kjo është një çështje tepër e qartë dhe e shteruar në mënyrë tepër objektive në letrën që unë u kam dërguar KLGJ-së dhe institucioneve të tjera”, nënvizoi Meta.

I pyetur se si i përgjigjet atyre që thonë se largimi i Dvoranit është pjesë e marrëveshjes me zotin Rama, Presidenti Meta tha se, “zero marrëveshje, nga ana ime në respektin e Kushtetutës, të ligjeve! Dhe sidomos të Kushtetutës, sepse ajo është mbi çdo ligj dhe për fat të keq ne kemi nxjerrë gjatë kësaj kohe mjaft ligje që dalin mbi Kushtetutën dhe që është një çmenduri! Është sikur në ushtri të dalë një kapter mbi gjeneralin! Apo në diplomaci që një atashe ambasade të dalë mbi ambasadorin, sepse kështu është e ndërtuar e gjithë arkitektura e shtetit ligjor”.

“Megjithatë, këto gjëra, për fat të keq këto gjëra kanë ndodhur në vendin tonë dhe ne kemi mjaft probleme në funksionimin e shtetit ligjor, sepse ka humbur respekti mbi Kushtetutën. Kushtetuta është mbi çdo gjë, edhe mbi gjithçka. Kështu që nuk ekziston dhe nuk ka asnjë arsye që të ketë një marrëveshje mbi këtë gjë, sepse këto janë çështje që zgjidhen nga vetë Kushtetuta, dhe ligjet në respekt të Kushtetutës, jo në dhunim të Kushtetutës, sepse secili duhet të bëjë detyrën e tij”, përfundoi Meta.

 /gj.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.