TIRANË, 16 prill/ATSH/ “Respektimi i masave mbrojtëse ndaj COVID-19 është po aq i rëndësishëm sa vendosja e tyre”, u shpreh sot kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi, i cili inspektoi sot situatën në tregje.
“Puna kryesore e Policisë Bashkiake në Fier për çdo ditë është monitorimi dhe nxitja e respektimit të tyre nga tregtarët dhe konsumatorët në tregun e qytetit, në tregun e lëvizshëm dhe në të gjitha pikat e shërbimit me fluks të madh qytetarësh, ku përfshihen edhe bankat”, tha Subashi.
Ai tha se “respektimi i masave mbrojtëse është e vetmja mundësi që t’i bëjmë ballë dhe të parandalojmë përhapjen e këtij virusi që ka gjunjëzuar mbarë botën”.
“Bashkë me drejtorin e Policisë vendore, Andon Marko, sot zhvilluam një monitorim të thjeshtë në terren, i cili shërbeu dhe si një bashkëbisedim me qytetarë e tregtarë mbi ecurinë e deritanishme të aktivitetit ditor në këtë situatë pandemike dhe rezultatet e deritanishme në Fier”, tha Subashi.
/m.m/j.p//r.e/























