TIRANË, 30 mars/ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka publikuar sot arsyet e kthimit të ligjit “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”.
Presidenti i Republikës, thekson se ky ligj tejkalon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Ministrave, shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, shkel njëherazi disa të drejta dhe liri themelore të njeriut, si e drejta e pronës private, e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, apo prezumimi i pafajësisë, shkel hierarkinë e akteve të përcaktuar në nenin 116 të Kushtetutës, bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, shkel parashikimet kushtetuese mbi funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bie ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale”.
Në arsyetimin e tij, Meta thekson se, “akti Normativ me fuqinë e ligjit, është miratuar në kundërshtim flagrant me nenin 101 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në relacionin shoqërues të aktit normativ jo vetëm që mungon sqarimi qoftë formal i nevojës dhe urgjencës për propozimin dhe miratimin e këtij akti, por edhe nga shqyrtimi i qëllimit dhe objektit të nismës, është e qartë se nuk ka asnjë rrethanë faktike, objektive që të kërkonte apo që të legjitimojë ushtrimin e kompetencës që neni 101 i Kushtetutës ia njeh Këshillit të Ministrave”.
Përkundrazi, shton Meta, “lufta ndaj kriminalitetit në vend është detyrim i përhershëm i qeverisë, ndërsa mekanizmat për gjurmimin dhe pengimin e përdorimit të burimeve të ardhura nga krimi, janë përcaktuar në legjislacionin në fuqi që duhet të zbatohet nga organet e ngarkuara me ligj”.
“Lufta kundër krimit të organizuar, organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, si dhe çdo grupi tjetër kriminal, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krimet e rënda, siç citohet në nenin 2 të aktit normativ, nuk mund të jetë një qëllim i përkohshëm, që kërkon masa të përkohshme”, thekson Meta.
Meta nënvizon se, “masat e përkohshme janë të justifikuara kur pranohet gjerësisht se gjendja është aq alarmante sa nuk mund të përballohet më me legjislacionin aktual dhe se kërkon patjetër ndërhyrje dhe masa të jashtëzakonshme”.
Përkundrazi, shton kreu i Shtetit, “nevoja për konsolidimin e sigurisë në vend, kërkon masa dhe politika afatgjata, të cilat u vlerësuan në mënyrë të thelluar kur legjislacioni u amendua në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, në vitin 2017”.
Meta shton se, “akti normativ cenon parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës, për sa kohë është nxjerrë një akt me fuqinë e ligjit, pa ekzistuar nevoja dhe urgjenca, duke marrë përsipër Këshilli i Ministrave të rregullojë fusha që janë në kompetencën ekskluzive të Kuvendit dhe kërkojnë miratim me shumicë të cilësuar”.
Meta shton se “ligji i miratuar në kundërshtim me nenin 7 dhe kërkesat e nenit 101 të Kushtetutës, ka bërë që të shkelen dhe neni 30 i Kushtetutës, që sanksionon parimin e prezumimit të pafajësisë, parim që mbrohet edhe nga Neni 6 (2) i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Neni 11 (1) i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, si dhe neni 41 i Kushtetutës”.
Po ashtu Meta thekson ndër të tjera se, “ligji bie ndesh me nenin 17 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Kufizimet e lirive dhe të drejtave të njeriut, të parashikuara në aktin normativ me fuqinë e ligjit të Këshillit të Ministrave nuk përmbushin kërkesat e nenit 17 të Kushtetutës për arsye se, akti normativ nuk respekton elementin e domosdoshmërisë, pjesë e parimit të proporcionalitetit”.
/gj.mima/r.e/























