TIRANË, 30 mars/ATSH/ Drejtuesja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Sëndetit Publik (ISHP), Silva Bino deklaroi sot se në Shqipëri janë kryer kontrolle për COVID-19, që në muajin janar.
“Momenti i infektimit të Shqipërisë filloi pas Italisë, prandaj duhet mbajtur situata nën kontroll. Kemi kryer kontrolle për COVID-19 që në janar. Sado të kemi shkëmbime me vendet aziatike, nuk është aq e madhe sa me Italinë”, tha Bino në një intervistë televizive.
E pyetur në lidhje me raportin mes të shtruarve dhe të infektuarve, Bino tha se, “testojmë çdo rast të rëndë për infeksione respiratore, për COVID-19. Ne kemi disa të dhëna, të cilat po përpunohen, ku duket se intervali i transmetueshmërisë është ulur. Por duhet të bëjmë edhe kalkulime të tjera. Por vihet re një tendencë në ulje”.
Bino u shpreh se, “po mundohemi ta kemi kurbën e infektimeve më të zbutur. Transmetueshmëria, apo intervali serial, janë disa elemente që po i masim dhe që na tregojnë mbi ecurinë. Kemi disa të dhëna dhe duket sikur intervali i transmetueshmërisë është ulur. Nuk është nën 1, sepse atëherë domethënë që sëmundja nuk transmetohet më, por ka një lloj tendencë për t’u ulur dhe masat e distancimit social kanë shërbyer”.
Bino shtoi se, “numrin e rasteve e kanë shtuar kontaktet familjare, kur rastet nuk ishin ende të identifikuara dhe personat nuk e dinin që kishin COVID-19”.
Ne, tha Bino, “duam që të gjurmojmë sa më shumë raste, të identifikojmë sa më shumë persona të mundshëm që kanë shenjat e sëmundjes. T’i identifikojmë dhe izolojmë këta. Këtu konsiston puna jonë në terren. Ne duam të rrisim dhe gjurmueshmërinë, por dhe izolimin e tyre, masat e karantinës në shtëpi”.
Bino tha se, po analizohen shkaqet e vdekjes së personave me koronavirus dhe tha ajo, “3 prej tyre nuk janë direkt nga koronavirusi, por i janë mbivendosur sëmundje të tjera. Janë lidhur me koronavirusin, por nuk janë direkt nga koronavirusi. Ndërsa për 8 të tjerët vijojnë verifikimet. Këto studiohen nga një grup ekspertësh që merren me shkakun e vdekjes”.
“Kjo është një epidemi që ndodh një herë në jetë. Sepse kemi të bëjmë me një sëmundje që është shumë e transmetueshme. Është e transmetueshme po aq sa gripi, ka një vdekshmëri më të lartë se gripi. Prek organe të rëndësishme si mushkëritë dhe e rëndësishme është që s’kemi akoma një trajtim të përcaktuar dhe të qartë dhe një vaksinë”, tha Bino.
/gj.mima/r.e/ /a.a/























