PRISHTINË, 23 mars /ATSH/ 7000 teste për koronavirus pritet të mbërrijnë këtë fillimjave në Kosovë.
Si në shumicën e vendeve të prekura nga koronavirusi, edhe në Kosovë numri i testimeve për COVID-19 që është bërë në vend ka qenë një temë mjaft e diskutuar, duke pasur parasysh edhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që ka kërkuar të testohen sa më shumë njerëz.
Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK njofton se nga data 8 shkurt, deri më 22 mars janë testuar me metodën RT-PCR gjithsej 577 mostra të dyshimta me virusin SARS-CoV-2, duke rezultuar 33 persona pozitivë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë një konference të mbajtur javën e kaluar paralajmëroi se do të bëhen më shumë teste në vend.
Ai tha se janë porositur me urgjencë edhe 7000 teste të tjera të cilat janë planifikuar të vijnë në fillim të kësaj jave. /KosovaPress/























