TIRANË, 23 mars/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një komunikim me publikun tha se mbetet thelbësore ruajtja e stafit mjekësor dhe infermieror.
Manastirliu bëri të ditur se në kuadër të masave të marra, përpara Urgjencës së QSUT ka nisur tashmë ngritja e çadrave të triazhit mjekësor.
“Për ne është thelbësore ruajtja e ekipit mjekësor dhe infermieror ndaj veç sigurimit të mjeteve të mbrojtjes personale që mbetet prioriteti numër një ne kemi vendosur të ngremë çadra të triazhit mjekësor përpara urgjencës së QSUT-së dhe të Spitalit të Traumës, aktualisht po përfundojmë trajnimin e ekipeve që do vendosen në shërbimet e triazhit në çadra”, – tha Manastirliu.
Ministrja u shpreh se “paralelisht po lidhim kontratën për blerjen e 54 respiratorëve, kemi filluar procedurën për blerjen e 100 respiratorëve të tjerë sipas një kalendari të mbërritjes nga 9-45 ditë”.
“Ne po bëjmë më të mirën brenda kapaciteteve tona, por duhet të dimë që po përballemi me një virus që mbetet i panjohur, po na përball me sfida të jashtëzakonshme, që nga kujdesi në terapinë intensive, përpjekjet e vazhdueshme për rritjen e stokut, të materialeve të mbrojtjes personale, për mjekët, infermierët, rritjen e kapaciteteve me respiratorë, rritjen e stokut të barnave ekzistuese dhe atyre të reja, në një kohë shumë të vështirë për të gjitha vendet e botës”, – theksoi Manastirliu.
Por, vijoi ministrja, ne po vijojmë punën pa u ndalur në çdo moment me masat që kemi marrë kemi mundur të sigurojmë rritjen e stokut me 25 mijë maska, FFP 2 dhe FFP 3 dhe në vazhdim pritet furnizimi me 140 mijë maska FFP 2 dhe FFP 3, ndërkohë që po planifikojmë krijimin e një stoku tjetër me plus 200 mijë maska specifike në vijim.
“Ndërsa për veshjet speciale po rrisim stokun me 10 mijë veshje speciale dhe planifikojmë rritjen e stokut me 50 mijë veshje speciale në vijim. Sa i përket mjeteve të tjera si doreza netrili, syze mbrojtëse, helmeta mbrojtëse, dezinfektantë, po ashtu është siguruar stoku i nevojshëm për përballimin e kësaj situate, dhe po vijohet për t’u siguruar ky stok dhe për t’u rritur në vijim”, – tha Manastirliu.
Sa përket maskave të thjeshta, ministrja tha se “kemi një sasi stoku mbi 500 mijë maska të thjeshta dhe kirurgjikale, si dhe rreth 650 mijë doreza sterile dhe josterile”.
Duke u shprehur se po bëhet më e mira me kapacitetet që ka vendi për t’u përballur me një virus i cili është shumë i rrezikshëm, Manastirliu ka përsëritur apelin për qytetarët për të respektuar masat e distancimit social, të qëndrojnë në shtëpi, të ndihmojnë veten e tyre dhe të afërmit e tyre, sidomos ata që janë të moshuar, me sëmundje kronike dhe më të pamundur./k.s/























