Posta Shqiptare apel pensionistëve: Mos u drejtoni në sportele, pensioni do t’ju vijë në shtëpi pa asnjë kosto

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Të gjitha shërbimet në sportele, prej ditës së sotme janë të ndaluara, pas vendimit të një dite më parë nga qeveria ndërsa të gjitha kërkesat për shërbime do të bëhen online. Edhe pensionistët nuk duhet t’u drejtohen sporteleve të postave për të tërhequr pensionin e tyre pasi ky shërbim do t’u vijë në shtëpi dhe falas.

Posta Shqiptare deklaron se “pensionet do të shpërndahen nga Posta Shqiptare në adresat e pensionistëve pa asnjë kosto”.

Posta Shqiptare, në funksion të menaxhimit të situatës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, bën të ditur për të gjithë pensionistët se zyrat e pensioneve do të jenë të mbyllura, deri në një urdhër të dytë.

“Pensionistë, janë të lutur të depozitojnë numrin e telefonit, adresën e saktë dhe Nr. ID ose fotokopje të kartës së identitetit, në kutinë postare pranë zyrës ku ata tërheqin pensionin”, nënvizon Posta.

“Në çdo zyrë postare do të afishohen numra kontakti për çdo informacion të nevojshëm rreth shpërndarjes së pensioneve”, bën të ditur Posta Shqiptare.

Posta Shqiptare fton të gjithë të kontaktojnë për çdo pyetje apo paqartësi në lidhje me procesin e shpërndarjes së pensioneve në shtëpi.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.