Rama: Maskat e shpërndara për personelin që nuk janë të përfshira drejtpërdrejtë në frontin e parë të luftës ndaj koronavirusit

TIRANË, 10 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se maskat e shpërndara për personelin shëndetësor që nuk janë të përfshira drejtpërdrejtë në frontin e parë në perimetrin e luftës ndaj koronavirusit, përdoren gjerësisht pas datës së skadencës jashtë sallave kirurgjikale.

Këto maska, shpjegoi Kryeministri, nuk përdoren në sallat kirurgjikale, jo sepse janë të rrezikshme, por sepse nuk e kanë të gjithë efektshmërinë e tyre dhe janë maska që e zëvendësojnë disa herë më mirë facoletën apo garzat që vendosen para fytyrës për vet mbrojtjen tonë apo të tjetrit në kontaktin gjatë një gjendje të caktuar gripale apo epidemike.

“Maskat që janë shpërndarë në të gjithë personelin shëndetësor që nuk janë të përfshira drejtpërdrejtë në frontin e parë në perimetrin e luftës ndaj koronavirusit. Këto janë maska që kanë ardhur në Shqipëri si dhuratë nga një fondacion i quajtur “Biri i shqipes” nga Kanadaja. Janë ndaluar në doganën e Durrësit. Ishin të destinuara për një shoqatë bamirësie, e cila mbas thirrjeve të përsëritura të autoriteteve nuk u paraqit për të paguar ato detyrime që janë të shtetit për të tërhequr pakot që janë prodhim amerikan. Nëse këto maska do të ishin të rrezikshme dhe nëse skadensa e tyre do të implikonte gjësendi tjetër përveç uljes së eficencës së tyre në sallat kirurgjikale ku operohet dhe kushtet duhet të jenë sterile, nuk do të mundnin të dilnin dot nga kufijtë e Kanadasë apo SHBA-s dhe nuk do të përshkronin oqeanin për të ardhur në Shqipëri”, deklaroi Rama.

Sipas Kryeministrit, të thuash se këto janë maska të rrezikshme do të thotë thjeshtë e vetëm të duash të përhapësh panic.

Por, vijoi Rama, sot nuk është koha për të luftuar me qeverinë, por si shqiptar për shqiptarët kundër një armiku, që ka nxjerrë botën nga binarët e natyrshmërisë së vet./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.