PRISHTINË, 10 mars /ATSH/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa ka reaguar pas paralajmërimeve të SHBA-së për tërheqjen e trupave ushtarake nga Kosova.
Ai ka pranuar se raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së ndodhen në një fazë kritike.
Kreu i LDK-së ka bërë të ditur se ndodhet në kontakte me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan për dialogun me Serbinë, ambasadorin Richard Grenell.
“E kam dërguar një zyrtar të lartë të LDK-së të bisedojë drejtpërdrejti me të, të informohet për takimin e fundit të presidentit Thaçi dhe Vuçiq në Uashington dhe t’ia prezantojë qëndrimet e LDK-së”, shprehet Mustafa.
Duke iu drejtuar qytetarëve të Kosovës, Mustafa shprehet se “marrëdhëniet me SHBA-në kanë hyrë në një fazë shumë delikate por edhe kritike. Deklarata e Senatorit Perdue flet qartë se ku jemi. S’ka tarifë, as reciprocitet që vë të peshojë marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor”.
Mustafa shprehet se është deklaruar qartë për heqjen pa kushte të taksës ndaj mallrave serbe dhe se shpreson që për reciprocitetin të dakordohet me SHBA dhe BE, lidhur kjo edhe me reagimin e Serbisë.
“Si kryetar i LDK-së jam deklaruar qartë për heqjen e pakusht të tarifës, ndërkaq që reciprociteti të dakordohet me SHBA dhe BE, varësisht nga sjellja e Serbisë. Ky është qëndrimi dhe zëri i LDK-së.
Konsideroj se nuk ka zë të popullit në Kosovë që rrezikon dhe i vë në pikëpyetje relacionet me SHBA. Jam në komunikim me ambasadorin Grenell. E kam dërguar një zyrtar të lartë të LDK-së të bisedojë drejtpërdrejti me të, të informohet për takimin e fundit të Presidentit Thaçi dhe Vuqiç në Washington dhe t’ia prezantojë qëndrimet e LDK-së.
Do të bashkëbisedoj me kryeministrin Kurti, si partner i koalicionit, dhe si LDK në ditët në vijim do t’i bëjmë të qarta veprimet të cilat e ruajnë partneritetin dhe miqësinë me SHBA-të”, shprehet kreu i LDK-së, Isa Mustafa. /KosovaPress/























