Rama: Sistemi ynë shëndetësor në gatishmëri të plotë, lufta me koronavirusin do të përshkallëzohet


TIRANË, 10 mars/TSH-Maela Marini/ “Sistemi ynë shëndetësor është në gatishmëri të plotë dhe lufta me koronavirusin do të përshkallëzohet sipas parashikimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e qeverisë.

Rama tha se “kemi hyrë në këtë luftë plotësisht të përgatitur dhe ndjekim çdo ditë planin e betejës në dinamikën e situatës”.

Fillimisht Kryeministri vuri në dukje faktin se “sot mbledhja e qeverisë bëhet në një numër më të reduktuar, pa praninë e zv.ministrave, sepse nuk mund të predikojmë masa për të tjerët, por duhet të japim shembullin tonë dhe të bëjmë detyrën si qytetarë, duke ruajtur veten dhe të tjerët, duke mbrojtur shoqërinë. Kështu, sipas tij, secili individualisht kontribuon në një luftë që sot është botërore përballë një virusi të panjohur”.

Rama përcolli mesazhin e qartë se thirrja për të kufizuar në maksimumin e mundshëm kontaktet fizike nuk është një predikim në ajër, por është një thirrje që buron nga këshilla numër 1 e OBSH-së dhe të gjithë ekspertët e fushës në mbarë globin ne vend.

“Ne mbyllëm shkollat, kopshtet, çerdhet, universitetet, jo për t’ju dhënë vajzave dhe djemve tanë një dyjavësh pushim për t’u mbledhur nëpër disko dhe për t’u argëtuar si të ishte një kohë e zakonshme. Kjo është një kohë lufte që padiskutim bota dhe ne do ta fitojmë por ama të gjithë së bashku duhet çmos të kufizojmë maksimalisht dëmet që mund t’i shkaktohet jo trupit fizik të vendit, por shëndetit të njerëzve tanë”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Rama tha se “kjo nuk është një luftë ku vihet në pah tërësia e virtyteve njerëzore që lidhen me trimërinë me guximin, me sypatrembshmërinë, me pasionin për lirinë deri në vetësakrifikim. Është një luftë me një armik të padukshëm i cili hyn në trupin tonë dhe në trupin e njerëzve tanë më të dashur duke kërcënuar seriozisht shëndetin dhe jetën e atyre që janë më të moshuarit, atyre që janë të sëmurë mes nesh. Kjo do të thotë se mund të jesh malësor, lab, mund të kesh shumë e shumë për t’u krenuar me historitë e trimërisë në male apo në bregdet, por në këtë rast, ky armik nuk pyet as nga vjen, as kush je, as çfarë historie ke dhe as ku je, godet”, tha Rama.

“Përtej faktit që individë në mosha të caktuar, qytetarë të cilët kapen në befasi me një mikrofon që vendoset në rrugë mund të thonë edhe fraza të tilla që në kohë të tjera të bëjnë për të qeshur është e patolerueshme dhe  e pajustifikueshme dhe pa asnjë standard etik që ekranet e televizioneve t’i transmetojnë të tilla shaka në vend, që t’i shfrytëzojnë ato sekonda dhe minuta për të sensibilizuar dhe t’i përgjigjen atyre që krenohen unë jam malësor, lab, trim, ne nuk pyesim, ne hamë bio”, tha Rama.

Ai theksoi se “kjo nuk është një shaka”. “OBSH thotë se përtej luftës me virusin, mbrojtjes nga epidemia, ka dhe një luftë tjetër për të bërë, për t’u mbrojtur nga infodemia, lajmet, kronikat, deklaratat, debatet, që nuk çojnë askund përveçse shtojnë konfuzione e thellojnë paqartësinë. Në këtë moment, kur jemi ende në fillimin e kësaj lufte me armikun, që ka hyrë në territorin e vendit tonë në trupat e njerëzve tanë. Ftoj të gjitha mediet, të gjithë ata që kanë mundësinë të përdorin një mikrofon, që kanë ndjekësit e tyre të mos abuzojnë dhe të ndërgjegjësohen se kjo nuk është një nga ato betejat e radhës, por është një luftë që e kemi ne në dorë me sjelljen tonë, me angazhimin tonë, zbatimin e atyre këshillave në dukje krejt elementare, por në fakt thelbësore që ta bëjmë një luftë me dëmet më të vogla sesa dëmet që vijnë nga një luftë kur ne sillemi në mënyrë të papërgjegjshme dhe bëjmë sfida pa lidhje me armikun që kemi përballë dhe mund të na hyjë në trup nga kudo”, tha Rama.

Rama tha se “numri i të prekurve është rritur dhe është shumë e rëndësishme të dëgjohet nga të gjithë se 8 prej tyre janë vazhdë e 1 kontakti të vetëm. “Janë djali, babai dhe pastaj me radhë 6 të tjerë kontakte të afërta, por jo aq sa brenda mureve të shtëpisë. Kemi dhe dy raste të tjera, një e moshuar në Durrës dhe një djalë në Tiranë”, tha Rama.

Ai theksoi se “të gjitha rastet janë kontakte të importuara nga Italia”. “Duke u gjendur pranë Italisë, duke pasur kaq shumë kontakte me Italinë ishte e pashmangshme që Komiteti ynë i ekspertëve në bashkëpunim me OBSH-në të ndërtonte skenarët e një vendi fqinj me një zonë që sot është e tëra e kuqe”.

Rama tha se “skenarët janë ndërtuar sipas fazave për t’iu përgjigjur dinamikës së shtrirjes së virusit”.

“Baza mbetet e njëjta si në skenarin e parë, në të dytin dhe të tretin. Urojmë sa më shpejt që forca goditëse e virusit të shkojë në rënie, por kemi sugjerimet dhe detyrat e secilit prej nesh për shëndetin e njerëzve”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.