TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ – Inspektori i Lartë i Drejtësisë është një hap tjetër i rëndësishëm i Reformës në Drejtësi.
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf u takua dje në një vizitë të parë me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, të zgjedhur para pak kohësh nga Parlamenti.
“Unë e falënderoj Artur Metanin për bisedën interesante dhe e përgëzoj atë për detyrën e tij të re të rëndësishme dhe me shumë përgjegjësi. Me emërimin e tij u vendos një tjetër komponent i rëndësishëm në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri”, tha Zingraf.
“Inspektori i Lartë i Drejtësisë do të kontribuojë me punën e tij në integritetin, profesionalitetin dhe pavarësinë e gjyqësorit shqiptar”, u shpreh ai.
“Një sistem disiplinimi dhe inspektimi funksional dhe i pavarur, që shoqëron procesin e Vetingut – edhe më pas – do të jetë një element vendimtar për të siguruar në mënyrë afatgjatë besimin e popullsisë në një sistem drejtësie me integritet”, theksoi ambasadori Zingraf.
/gj.mima/























