Ballina Aktualitet

Shqipëria me numrin më të lartë të shërbimeve online në Ballkanin Perëndimor

TIRANË, 20 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/-  Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të shërbimeve online në Ballkan.

Kështu është shprehur, Fjoralba Caka, zv.ministre e Drejtësisë, që ka marrë pjesë këtë javë në takimin përgatitor Ekonomik-Mjedisor të OSBE në Vjenë. Zv.ministrja Caka, gjatë takimit ka nënvizuar punën e bërë nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit, ndërsa ka sjellë në vëmendje dhe rëndësinë e përdorimit të teknologjisë në këtë drejtim.

“Kënaqësi e veshur me përgjegjësi të isha pjesë e takimit të parë përgatitor të Forumit Ekonomik-Mjedisor të OSBE në Vjenë. Ndava punën e bërë nga Shqipëria në kuadër të luftës kundër korrupsionit me fokus të veçantë tek elementet inovative të Planit të Veprimit Antikorrupsion, si dhe rëndësinë që përfaqëson për ne dimensioni digjital i qeverisjes dhe shërbimit publik për qytetarin, përmes shndërrimit të teknologjisë në mjet të mirëqeverisjes”,- bën të ditur zv.ministrja Caka.

“Kisha nderin të ndaja edhe statusin e Shqipërisë si vendi me numrin më të lartë  të shërbimeve elektronike në Ballkanin Perëndimor dhe shtimin e tyre si prioritet të mëtejshëm të qeverisë.

Një falënderim i veçantë për Misionin tonë në OSBE për punën e kryer deri më sot, e cila u vlerësua maksimalisht edhe nga shtetet pjesëmarrëse, si edhe kontributin e pakushtëzuar që po garantojnë për Kryesinë Shqiptare të OSBE që prej fillimit të këtij viti”,- shtoi Caka.

“Shkëmbimi me Ermelinda Meksin si pjesë e Sekretariatit të OSBE ishte një mundësi më tej për të parë të kontributin shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe mbarëvajtjen e misioneve dhe vizioneve të përbashkëta që Shqipëria ndan me OSBE. Me përmbylljen e këtij takimi të parë, entuziaste për të vijuar punën kundër korrupsionit dhe filluar përgatitjet për mbajtjen e konferencës së madhe të OSBE kundër korrupsionit në Tiranë në muajt e verës”,- bëri të ditur zv.ministrja e Drejtësisë, Fjoralba Caka.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRindërtimi/ Përcaktohet edhe një zonë e re për zhvillim në Durrës
Artikulli tjetërQeveria miraton Planin Kombëtar për Integrimin Europian 2020–2022