Rindërtimi/ Përcaktohet edhe një zonë e re për zhvillim në Durrës

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot shpalljen edhe të një zone të re për zhvillim në bashkinë Durrës dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese.

Qeveria shpalli si zonë të përshtatshme për zhvillimin e detyruar, zonën 4 në bashkinë Durrës.

Ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të zbatojë ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara, si dhe ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike e kritike.

Po ashtu, FSHZH do të zbatojë realizimin e ndërtimeve në këtë zonë dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të kësaj zone.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Durrës dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.