Komisioni i Sigurisë miraton Aktin Normativ, Voda: Ashpërsim luftës ndaj organizatave kriminale, gjithçka kalon përmes SPAK

TIRANË, 19 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/ Komisioni për Sigurinë Kombëtare ka miratuar të martën Aktin Normativ “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, të njohur si paketa “Anti KÇK”, që u miratua nga qeveria, për sekuestrimin e pasurive të paligjshme të vendosura nga aktiviteti kriminal.

Gjatë punimeve në Komisionin e Sigurisë, ishte e pranishme dhe zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila theksoi se ky akt normativ është parashikuar të jetë në fuqi, deri në ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si organi që do mbështesë Prokurorinë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

“Akti normativ, i cili ka hyrë në fuqi që prej nisjes së shkurtit dhe ku janë realizuar përmes Operacionit Forca e Ligjit një sërë operacionesh, ka për qëllim marrjen e masave për luftën kundër terrorizmit, krimeve të rënda, synohet ashpërsimi ndaj grupeve dhe organizatave kriminale të përfshira në krime të rënda. Jemi në një situatë ku ka filluar zbatimi i këtij akti normativ, ka një strukturë të veçantë në Polici, OFL- ja, e cila është përgjegjëse për luftimin e kriminalitetit. Janë parashikuar 3 lloj masash kundër subjekteve të këtij akti normativ, masa me karakter pasuror, personal dhe ekonomik”, – tha Voda.

Duke iu përgjigjur interesit të deputetëve në komisionin e Sigurisë, Voda tha se ende nuk ka një faturë përfundimtare, pro sipas saj, kjo strukturë OFL është ngritur me punonjës brenda Policisë së Shtetit.

“OFL,strukturë e posaçme e ngritur për një qëllim, funksioni i saj përfundon në mbarim të Aktit Normativ, një pjesë e mirë e punonjësve të OFL-së janë përzgjedhur nga brenda Policisë së Shtetit. Nuk është llogaritur ende saktë shuma e fondeve, por nuk besoj që është ndonjë shumë e madhe. Policia e Shtetit do të pasurohet më një flotë mjetesh të reja që do të jenë në përdorim nga punonjësit e policisë. Me këtë akt i kemi dhënë më tepër frymëmarrje Policisë për të kryer investigime në punën e saj, institucionet shtetërore duhet të japin kontribut në punën e Policisë së Shtetit”, – theksoi Voda.

Sipas saj, puna e OFL do të jetë e përkohshme dhe gjithçka do të kalojë përmes SPAK. “Siç edhe e keni parë, puna e OFL në zbatim të aktit normativ kalon gjithnjë përmes SPAK, pasi është organi i vetëm që ka të drejtë të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Por, në mungesë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, që është në proces formimi, si institucioni që do ushqejë SPAK-un me provat e duhura në funksion të hetimeve të saj, në fushën që ja atribuon ligji, atëherë do të jetë OFL përmes këtij akti normativ që do furnizojë Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin me prova dhe materiale të tjerë në funksion të hetimeve ndaj veprave të rënda penale. Prandaj dhe akti normativ ka një karakter kohor të kufizuar pasi  me ngritjen e plotë të BKH, do jetë kjo e fundit që do vijojë punën hetimore sipas ligjit përkatës”, – theksoi Voda.

Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e deputetëve, kryetarja e Komisionit për Sigurinë Kombëtare hodhi në votim aktin normativ, i cili u miratua nga anëtarët e Komisionit të Sigurisë.

Akti normativ ka për qëllim marrjen e masave në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.