TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot seancën gjyqësore publike me kryetaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, Alma Kolgjoka.
Në orën 10:00 nisi seanca për gjykimin e çështjes (JR) nr.10/2019, datë 19.02.2019 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 86, datë 17.12.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Alma Kolgjoka.
Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga: kryesues: Luan Daci, relatore: Albana Shtylla, anëtarë: Ina Rama, Natasha Mulaj, Sokol Çomo.
Komisioneri Publik apeloi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Alma Kolgjoka të enjten, duke e konsideruar të paplotë atë pjesë të hetimit administrativ që lidhet me apartamentin e prindërve të gjyqtares.
Sipas ankimimit që Komisioneri Publik i drejtoi Kolegjit të Pavarur të Apelimit, babai i gjyqtares duhet të cilësohej person i lidhur dhe “komisioni do të duhej të verifikonte edhe përmbushjen e detyrimit ligjor të justifikimit të ligjshmërisë së burimit për apartamentin me sipërfaqe 141,87 m2.
Babai i gjyqtares Kolgjoka e ka blerë apartamentin në vitin 2012 për një vlerë prej rreth 11 milionë lekësh. Sipas një formulari dorëzuar Komisionit, gjyqtarja Kolgjoka, e cila drejton Gjykatën e Krujës ka deklaruar se nga muaji shkurt 2017, për shkak të futjes së vajzës në klasë të parë ka qëndruar përkohësisht, në ditë të ndryshme në apartamentin e prindërve.
“Konstatohet se Komisioni nuk ka hetuar mbi mundësinë financiare të prindërve të subjektit të rivlerësimit për kryerjen e investimit prej 11.065.860 lekësh, për blerjen e apartamentit, pasi nga të dhënat në dosjen e Komisionit nuk rezulton që ata të kenë pasur mundësi financiare me të ardhura të ligjshme për blerjen e kësaj pasurie,” thuhet në ankimin e Komisionerit Publik.
Në ankim kërkohet që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të rishqyrtojë kriterin e pasurisë për gjyqtaren Alma Kolgjoka dhe në fund të vendosë për lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të konfirmimit të saj të datës 17 dhjetor 2018.
/gj.mima/























