Ballina Aktualitet

“Një tufë xhagajdurësh”, Rama përcjell mesazhin e Rexhep Qoses: Urrejtje e organizuar shoviniste ndaj Shqipërisë

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ “Sapo më dërgoi zyra e shtypit statusin e mëposhtëm që Akademiku Rexhep Qosja ka postuar në faqen e tij sociale sot. E pata të pamundur të mos e ndaj me ju, sepse e pamundur është të mos preket plaga që një tufë xhagajdurësh, me atributet e rrejshme të patriotit a të mendimtarit, që rëndom politika a gazetaria në trojet tona ua mveshin njerëzve pa din e as iman, po rreket të hapë, zgjerojë e thellojë, bash ashtu siç e demaskon me një qartësi të dhimbshme Rexhep Qosja, në shënimin e tij”.

Kryeministri Edi Rama ripostoi sot shënimin e akademikut të Kosovës, Rexhep Qosja, duke shtuar se në një pikë nuk është dakord me të.

“Në një pikë nuk jam dakord me Rexhep Qosen! Kjo urrejtje e organizuar shoviniste ndaj Shqipërisë, siç ai e quan, nuk është thjesht një organizim mjetesh politike, mediatike e financiare, sa të paskrupullta, aq edhe të errëta, e cila sipas Rexhep Qoses, mund të sjellë pasoja në marrëdhëniet mes të dy shteteve shqiptare, por një ofensivë e egër pushtuese e hapësirës publike të komunikimit, që me vulgaritetin, shpifjet dhe dritëshkurtësinë e saj, ka nisur ta dëmtojë keq vetë Kosovën”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama përcolli edhe atë që e quan “status kuptimplotë nga Rexhep QOSJA”:

URREJTJE ME PASOJA TË MËDHA

As kryeministri i Serbisë mbretërore, Nikolla Pashiqi, as ministri i Sigurimit të Brendshëm Shtetëror – UDB-së së Serbisë dhe Jugosllavisë Komuniste, Aleksandër Rankoviçi e as kryetari i Serbisë pseudodemokratiko-fashiste, Sllobodan Millosheviçi, që aq shumë e kanë dëshiruar zhbërjen e shtetit shqiptar, nuk kanë propaganduar kaq haptas, kaq botërisht, aq urrejtje shoviniste kundër Shqipërisë sa e si po propagandon Masmedia e Prishtinës me disa radio, televizione e portale, e sidomos me televizionin T7 dhe me gazetën portal “Express”.

Kjo urrejtje ndaj Shqipërisë shtetërore nuk është urrejtje as e çastit e as e rastit. Jo. Kjo është urrejtje me motive jo vetëm politike më gjatë e menduar dhe më gjerësisht e organizuar dhe e strukturuar!

Kësaj urrejtjeje të organizuar shoviniste brendakombëtare kundër Shqipërisë, me të punësuar e bashkëpunëtorë, me ide, me mendime, me projekte, me propozime po i kontribuojnë edhe ndonjë institucion e edhe individë të tjerë të këtushëm.

Është naivitet të besohet se këtë urrejtje shoviniste brendakombëtare ndaj shtetit shqiptar, Shqipërisë, nuk e nxisin edhe mjete financiare të brendshme e të jashtme!

Dhe është e palejueshme të presim gojëmbyllur e të shohim se çfarë pasojash, dhembjesh e plagësh po i sjell kjo urrejtje e propaganduar aq gjatë e aq vendosmërisht njësisë së Kombit shqiptar dhe marrëdhënieve të dy shteteve shqiptare!

Në qoftë se nuk janë mirëkuptues të kësaj urrejtjeje të propaganduar haptas, botërisht e pa ndërprerje tani e sa kohë kundër Shqipërisë, institucionet e larta politike e shtetërore të Kosovës do të duhej të marrin qëndrim ndaj bartësve të saj siç po marrin shtetet e mëdha të Bashkimit Europian ndaj propaganduesve të organizuar të fashizmit dhe të nazizmit në jetën e tyre politike, shoqërore e shtetërore.

Heshtja e tyre ndaj saj s’mund të kuptohet ndryshe përpos si pajtim me të!

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShifra rekord në Konferencën e Donatorëve, Ahmetaj: Qeveria shqiptare, institucion i besueshëm për ndërkombëtarët
Artikulli tjetërFoto/ Furnizim më i mirë me ujë, UKT ndërhyn në rrugën “Sali Nivica”