Ballina Aktualitet

Gara për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, shkon në 20 numri i aplikantëve

TIRANË, 28 janar/ATSH-A. Fortuzi/- Aplikimet për t’u bërë drejtues i Byrosë Kombëtare të Hetimit vijojnë me ritëm të lartë dhe deri më tani, sipas burimeve pranë SPAK, bëhet me dije se numri i tyre ka arritur shifrën e 20 aplikantëve.

Sipas burimeve, kryesisht aplikuesit janë nga radhët e policisë, dhe ish-drejtues policie. Mësohet se ka ende të tjerë që presin të aplikojnë.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja pak ditë më parë ka publikuar emrat e pesë kandidatëve që kanë aplikuar për këtë pozicion. Sipas Krajës 5 aplikuesit e parë janë; Ibrahim Disha, Artan Shkëmbi, Gjovalin Ulndreaj, Adriatik Ago dhe Sabri Hoxha.

Dy nga kandidatët Ibrahim Disha dhe Sabri Hoxha kanë ardhur nga SHBA-ja për të aplikuar për të marrë drejtimin e BKH-së, njohur ndryshe si FBI-ja shqiptare. Afati për aplikimet është deri në datë 30 janar dhe Arben Kraja u bën thirrje të gjithë atyre që kanë dëshirë të aplikojnë, teksa garanton për një proces të drejtë vlerësimi.

“Do të doja të ritheksoja edhe një herë që aplikimi për Pozicionin e Lirë të Punës për Drejtorin e BKH-së është një mundësi e shkëlqyer për t’u përzgjedhur për të drejtuar një grup të madh hetuesish të BKH-së, të cilët do të mbështesin Prokurorët e Posaçëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. SPAK kërkon një kandidat ose kandidate që demonstron lidership, integritet dhe profesionalizëm. Në qoftë se ju mendoni që i plotësoni kërkesat e këtij pozicioni sfidues dhe kriteret në lidhje me përvojën në punë, arsimin dhe keni një figurë të pastër, aplikoni para datës 30 janar 2020”, deklaroi para pak ditësh kreu i SPAK, Kraja. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Uashingtoni i zhgënjyer nga vendimi britanik për Huawei-n
Artikulli tjetërBardhi: Kraja i mohoi SPAK-ut mundësinë e hetimit për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër