TIRANË, 23 janar/ATSH/- Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka mbyllur shkollën “SAADI”, që ushtronte aktivitetin e saj prej disa vitesh në Tiranë.
Kjo shkollë financohej nga fondacioni “RUMI”, i cili përfaqësohej nga Seyed Ahmad Hosseini Alast, një nga përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, i cili u shpall persona i padëshirueshëm, nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
Në vendimin e MASR-së të 17 janar 2020 dhe të firmosur nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini, në mbështetje të ligjit “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, urdhërohet mbyllja e veprimtarisë së institucionit arsimor jopublik të arsimit të mesëm të lartë “SAADI”, Tiranë.
Në një njoftim për shtyp, Ministria e Arsimit deklaron se “shkolla është mbyllur me kërkesë të vetë subjektit që ka themeluar shkollën për arsye të reduktimit të të ardhurave dhe aftësisë paguese, dhe jo për arsyet që janë raportuar në shumë portale pa bërë as më të voglin verifikim me stafin e MASR. Zhgënjyese në këtë rast mungesa e interesimit për të raportuar faktet”.
Sipas vendimit, MASR urdhëron që institucioni arsimor “Saadi” të kthejë pagesat e kryera nga nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit si dhe ]do detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj tyre, të pajisë ]do nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniveristar.
Po ashtu MASR urdhëron që ky institucion të vërë në dispozicion të zyrës vendore të arsimit parauniversitar Tiranë çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin dhe mbylljen e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë urdhër, të mbulojë të gjitha shpenzime për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, si dhe të dorëzojë në zyrën vendore të arsimit parauniversitar, Tiranë të gjithë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë e kryer.
Ndërkohë, zyra vendore të arsimit parauniversitar, Tiranë ka për detyrë të ngrejë pune brenda tre ditëve nga hyrja në fuqi e këtij urdhri dhe të marrë masa për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor jopublik “SAADI”./k.s/j.p/





















