TIRANË, 15 janar/ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, përkujtoi sot masakrën e Reçakut, ku 20 vjet më parë forcat serbe vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë, pleq, gra, burra e të mitur.
Cakaj shprehet se kjo ngjarje tronditi fortë ndërgjegjen e gjithë botës demokratike, por edhe përshpejtoi ndërhyrjen politike e ushtarake të NATO-s në Kosovë.
“Sot, me dhimbjen më të thellë e nderimin më të lartë, kujtojmë shumë më shumë sesa thjesht masakrën e Reçakut, 15 janar 1999. Njëzetë e një vite më parë, forcat serbe vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë, pleq, gra e burra e të mitur. Kjo ngjarje atë botë jo vetëm tronditi fortë ndërgjegjen e gjithë botës demokratike, por edhe përshpejtoi ndërhyrjen politike e ushtarake të NATO-s në Kosovë. Sot, ndërkaq, duke kujtuar masakrën e Reçakut, ne kujtojmë edhe rrugëtimin drejt pavarësisë së Kosovës nëpërmjet fushatave më të shëmtuara të spastrimit etnik dhe gjenocidit”, – thekson Cakaj.
Ministri Cakaj tha se “njëzet e një vjet më vonë ende kujtojmë nevojën për vënie para drejtësisë të frymëzuesve politikë dhe zbatuesve ushtarakë e spastrimit etnik dhe veprimeve gjenocidiale në Kosovë”./k.s/























