Pasojat nga tërmeti/ Dëmi që pritet të paguhet nga kompanitë e sigurimeve llogaritet rreth 25 milionë euro

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Komiteti të Rindërtimit pas Tërmetit, Arben Ahmetaj deklaroi sot se deri tani llogariten rreth 2 mijë banesa të dëmtuara nga tërmeti, por që janë të siguruara në kompanitë e sigurimeve me vlerë dëmi rreth 12 milionë dollarë.

“Nga informacionet e marra deri tani janë në proces trajtimi 1943 banesa. Në bazë të kalkulimeve shifra e dëmeve deri tani llogaritet 12 milionë dollarë”, deklaroi Ahmetaj gjatë një takimi që zhvilloi sot në Tiranë me përfaqësues të kompanive të sigurimeve që operojnë në treg.

Sipas tij, shifrat janë dinamike, çka do të thotë se lista shtohet çdo ditë dhe mund të rezultojë që kjo të jetë gjysma e banesave që janë siguruar. Nga informacionet tuaja, iu drejtua Ahmetaj përfaqësuesve të sigurimeve, dëmi në total llogaritet 25 milionë euro.

Ahmetaj kërkoi nga kompanitë e sigurimeve që lista e qytetarëve të siguruar që do të paguhen nga kompanitë e sigurimit të dorëzohet pranë Komitetit të Emergjencave dhe AMF-ja. Kjo, sipas tij në mënyrë që të mos kemi dëmshpërblim të dyfishtë duke rënduar kështu tatimpaguesit.

Kreu i Komitetit për Rindërtim pas Tërmetit informoi mbi shumën e dëmeve të tërmetit të 21 shtatorit, të paguara nga kompanitë e sigurimeve.

“Në tërmetin e 21 shtatorit kompanitë e sigurimeve deri më sot kanë paguar rreth 5 milion dollarë, por kjo përbën vetëm 80%të dëmeve që kompanitë duhet të paguajnë”, tha Ahmetaj.

Drejtori i përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group Austria, Avni Ponari evidentoi nevojën e hartimit të një kuadri ligjor për të patur një sistem mbrojtës dhe mbulues për të gjitha shtresat dhe njerëzit.

“Fakti që penetrimi në tregun e sigurimeve është vetëm 35 euro për frymë tregon domosdoshmërinë e mbulimit në sigurim për të gjitha shtresat dhe njerëzit”, tha ai.

Sot, vijoi Ponari, llogariten 20 mijë banesa e biznese të siguruara, një shifër kjo sipas tij, e vogël krahasuar me 1.2 milionë tituj në Shqipëri. Edhe këto sigurime, shtoi Ponari, janë bërë me detyrim nga bankat, çka tregon se kultura e interesi i shqiptarëve është i vogël për të pasur një sigurim të asaj pasurie që kanë krijuar.

“Edhe ato që janë siguruar kanë përdorur mekanizma duke ulur vlerat e sigurimit deri në vlerat e kredisë, çka e bën më të lehtë pagesën për shoqëritë e sigurimit, por mbeten të pa mbuluara dëmet për klientët e qytetarët”, theksoi ai.

Ponari vuri në dukje se Shqipëria është shumë e vonuar duke patur parasysh hartën e riskut botëror, sipas së cilës është e kuqe për shkak të rrezikut që mbart nga tërmet apo përmbytjet.

“Duke qenë në një situatë të tillë sot duhet të kishim një ligj për mbrojtjen nga katastrofat dhe çdo qytetar duhet të kishte mbrojtjen e tij civile”, tha Ponari. Sa më i gjerë ky ligj, vijoi Ponari, aq më i ulët primi i sigurimit që mund të llogaritet nga 10-50 euro.

Më tej Ponari siguroi qytetarët se do të dëmshpërblehen nga kompanitë për dëmet e shkaktuara.

“Tregu i sigurimeve në Shqipëri është i garantuar e serioz që kanë marrëdhënie me industritë më prestigjioze”, theksoi ai./a.gjonaj/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.