LONDËR, 4 dhjetor /ATSH-AA/ – Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka deklaruar se takimi i djeshëm mbi Sirinë me presidentin turk dhe tre liderë europianë kaloi shumë mirë.
Në takimin e djeshëm, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kryeministri Johnson diskutuan situatën në Siri dhe Libi si dhe çështjet kundër terrorizmit, partneritetet e gjera strategjike, ekonomike dhe të mbrojtjes midis vendeve të tyre.
I pyetur për operacionin turk “Burimi i Paqes”, Johnson tha se “kemi pasur një diskutim shumë të mirë dje pasdite. Është shumë me rëndësi që Aleanca të qëndrojë e bashkuar”.
“Më shumë gjëra na bashkojnë se sa ndajnë. Unë mendoj një gjë, çdo lider këtu është absolutisht i vendosur dhe kjo është rëndësia jetike e NATO-s për sigurinë tonë kolektive”, shtoi Johnson./ /os/ a.jor.






















