Në Bruksel një minutë heshtje për 51 viktimat e tërmetit në Shqipëri

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ -Në Bruksel është mbajtur një minutë heshtje në nder të 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit që goditi Shqipërinë.

Ka qenë Sekretarja e Përgjithshëm e RCC, Majlinda Bregu e cila I këkroi kolegëve të saj në Konferencën e Miqve të Europës për të ardhmen e Ballkanit që të mbanin një minutë heshtje.

“Nje minutë heshtje në Bruksel për viktimat e tërmetit në Shqiperi. Faleminderit dhe njëherë të gjithë vendeve mike të Shqipërisë për mbeshtetjen qysh në oret e para pas tragjedisë”, thekson Bregu.

Në fjalën e saj në këtë konferencë, Bregu u shpreh se, “është koha për të përfunduar pretendimet. BE duhet të respektojë Traktatin e saj dhe të vijë me një qëndrim të qartë mbi procesin e pranimit të Ballkanit Perëndimor. Faleminderit presidentit të ri të Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen për artikulimin e qartë të vizionit të Europës si një kontinent. Shpresojmë se ky do të jetë qëllimi dhe qasja e të gjitha Shteteve Anëtare të BE-së. Dhe ne në rajon duhet të mbështjellim mëngët dhe të përparojmë në axhendat e reformave tona, përtej hidhërimit dhe zhgënjimit që është i pranishëm në rajon “, tha Sekretarja e Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu gjatë seancës hapëse të konferencës ndërkombëtare të nivelit të lartë për të ardhmen e Ballkanit, “Duhen dy për tango: Ballkani Perëndimor midis shpresës dhe realitetit” të organizuar nga Miqtë e Europës, në Bruksel sot.

“Ky moment është ndoshta kriza më e madhe në pozicionimet politike BE-Ballkan Perëndimor që nga viti 1999. Tani e tutje, deri në Samitin tjetër të Ballkanit Perëndimor, të gjithë do të jenë të etur për të marrë një vendim. Shpresoj vetëm që vendimi, jo vetëm për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por vendimi që prek tërë perspektivën e pranimit dhe procesin e anëtarësimit të vendeve të tjera, nuk do të ndikojë shumë dhe do të zhgënjejë administratën publike në radhë të pare, e cila duhet të jetë e motivuar për të vazhduar reformat”, tha Bregu.

Bregu arriti në përfundimin se, “megjithëse rajoni vendos shpresa të mëdha në Presidencën e Këshillit Kroat të Bashkimit Europian, do të ishte dritëshkurtër dhe tepër e thjeshtë për të pritur vetëm nga Kroacia, Gjermania apo Franca për të ndryshuar drejtimet e erërave të ftohta mbi Ballkan. Sidoqoftë, një dështim për të bërë përparim të besueshëm drejt anëtarësimit do të ulë zjarrin dhe do të ngadalësojë reformat, si dhe do të rrisë konfliktet ndërpartiake dhe paqëndrueshmërinë”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.