TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Presidenti i Republikës ka shpallur listen e aplikantëve për plotësimin e “Vakancës së parakohshme” në Gjykatën Kushtetuese.
Institucioni i Presidentit të Republikës, bën me dije se Presidenti i Republikës Ilir Meta, pasi u njoh me njoftimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Vendimin e KED-së konstatoi se, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në përfundim të procedurave të verifikimit të kandidaturave të paraqitura për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese “Vakancë e parakohshme”, e krijuar nga përfundimi përpara kohe i mandatit, të ish-gjyqtarit zotit Besnik Imeraj e shpallur për aplikim nga Presidenti i Republikës, ka evidentuar se nga 15 (pesëmbëdhjetë) kandidatë që kishin shprehur interesin për konkurim, ngelën në garë vetëm 2 (dy) kandidatë të lejuar për kandidim.
Ndodhur në këto kushte, pasi vlerësoi informacionin dhe njoftimin e përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Presidenti i Republikës miratoi menjëherë rishpalljen e procedurës së aplikimit për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me qëllim plotësimin e “Vakancës së parakohshme”, të krijuar për shkak të përfundimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit, Besnik Imeraj.
Pas përfundimit të afatit të rishpalljes për aplikim për këtë vend vakant, rezulton se për këtë vakancë kanë aplikuar dhe kanë shprehur interesin shtetasit
- Zoti Dedë Kasneci
- Zoti Envi Hicka
- Zoti Prelë Martini
- Zoti Shaqir Hasanaj
- Zoti Vasil Bendo
- Zonja Vjosa Bodo Mujo
Lista e aplikantëve të mësipërm, së bashku me dokumentacionin e dorëzuar prej tyre do t’i përcillet menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me qëllim që ky organ të revokojë/shfuqizojë vendimin e pezullimit të procedurës së verifikimit, si dhe vijimin e procesit për verifikimin dhe vlerësimin e të gjitha kandidaturave për plotësimin e këtij vendi vakant, sipas ligjit.
/gj.mima/ /a.g/























