Ruçi: Antifashizmi, në themel të Shqipërisë demokratike

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ Në 75 vjetorin e krijimit të Brigadës XXIV Sulmuese, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u ka dërguar sot një përshëndetje ish-partizanëve të Brigadës XXIV të ushtrisë partizane.

“Brigada XXIV Sulmuese u krijua 75 vjet më parë, në Bicaj të Lumës, nga bashkimi i çetës dhe batalionit partizan të Lumës si edhe me vullnetarët e të mobilizuarit nga të gjithë krahina. 650 luftëtarët e saj, në mbarim të Luftës u dyfishuan dhe arritën në 1.185 ushtarë të rregullt të Ushtrisë Partizane, aleates së vlerësuar të Ushtrisë së Kuqe, Ushtrisë dhe Marinës Amerikane, Ushtrisë dhe Flotës Britanike dhe të gjitha ushtrive çlirimtare të frontit të madh antifashist”, shprehet Ruçi.

“Pagëzimi i parë i zjarrit i Brigadës XXIV ishte beteja kundër kolonës gjermane në rrugën Kukës-Prizren, në bashkëveprim me Brigadën XVIII të Dibrës. Kurora e lavdisë së Brigadës XXIV, ashtu si e shumë Brigadave të tjera partizane, ishte lufta fitimtare për çlirimin e Tiranës, në vigjilje të çlirimit të plotë të Shqipërisë”, thotë Ruçi në letër.

“Pas çlirimit të Tiranës, më 24–27 nëntor, Brigada XXIV zhvilloi dhe fitoi betejën e njohur në Beltojë-Bërdicë-Bahçallëk, që i parapriu çlirimit të Shkodrës. Pas çlirimit të Shqipërisë, në dhjetor 1944, së bashku me Brigadën XXVII të  Shkodrës, Brigada XXIV luftoi në Ulqin dhe Tivar,  duke shënuar një pjesë të kontributit internacionalist të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Brigada XXIV dërgoi në altarin e lirisë 43 dëshmorë”, shprehet Kreu i Kuvendit.

Ruçi thekson se “në 75-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, është koha të rrisim respektin e nderimin tonë për veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhe jo të debatojmë për numrat e tyre. Debati për numrat e teknikalitetet nuk mund të errësojnë kontributin e shkëlqyer të tyre në çlirimin e vendit dhe vendosjen e Shqipërisë në krahun e forcave antifashiste e progresiste të kohës”.

“Unë jam i lumtur që në seancën e djeshme plenare, Kuvendi i Shqipërisë miratoi propozimin e qeverisë për një shtesë në ligjin “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar” dhe caktoi 20 korrikun si Dita e Veteranëve, një ditë e nderimit dhe respektimit të veteranëve dhe pasardhësve të tyre. Ne u jemi dhe do t’u jemi përjetë mirënjohës partizanëve, këtyre patriotëve dhe çlirimtarëve të Shqipërisë. Vepra e këtyre kalorësve të lirisë nuk mund as të mohohet, as të errësohet në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye”, shton Ruçi.

“Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe vlerat patriotike e antifashiste qëndrojnë në themel të lirisë, të Shqipërisë demokratike, të përparimit, të kontributit tonë në NATO, për paqen, sigurinë e stabilitetin në rajon e në botë, në themel të rrugëtimit europian të Shqipërisë”, shkruhet në përshëndetjen e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, dërguar ish-partizanëve të Brigadës XXIV të ushtrisë partizane.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.