Ballina Aktualitet

Kulluri: Basha nuk demokratizon partinë, të ndryshojë sistemin elektoral

TIRANË, 4 tetor /ATSH – I. Vata/- “Meqenëse Kryetari i PD-së Lulzim Basha nuk pranon të nisë një proces demokratizues të Partisë Demokratike, atëherë mund të bëjë demokratizim të parlamentit, qeverisjes dhe vetë partisë përmes sistemit zgjedhor”, u shpreh sot ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri.

Kulluri mendon se zgjidhja e krizës politike mund të bëhen me ndryshimin e sistemit elektoral.

“Gjithnjë ka një zgjidhje! Thirrjeve të hapura të disa bashkëpunëtorëve të vet për bashkimin e PD, zoti Basha ka mundësi t’u përgjigjet pozitivisht për ta nxjerrë të djathtën nga kriza me synim fitoren e zgjedhjeve te ardhshme! Të kërkojë një reforme zgjedhore për miratimin e një sistemi proporcional kombëtar ose rajonal me “lista të hapura””, shprehet ai.

Po ashtu Kulluri shton se “Basha t’i propozojë Këshillit Kombëtar një listë me 140 kandidate ku të përfshijë kritikët e tij për gjendjen në parti dhe secili të mbledhë vota për PD dhe për veten. Edhe PD mbledh maksimumin e votave, edhe përfaqësimi në parti dhe parlament rregullohet njëherë e mirë. Diskutimi që vendos Kryetari për çdo gjë, merr fund. Vendosin demokratët dhe qytetarët kush i përfaqëson më mirë! Natyrisht, që edhe programi elektoral bëhet më i plotë për shkak se përfshihen më shumë ide për një qeverisje më të mirë. Demokracia është përfaqësim! Një sistem zgjedhor me “lista të hapura” e zgjidh problemin themelor të krizës së sistemit politik aktual”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGrantet IPARD/ 65% të investimit 10 mijë deri 400 mijë euro në agroturizëm
Artikulli tjetërRuçi: Antifashizmi, në themel të Shqipërisë demokratike