TIRANË, 11 shtator/ATSH/- Mësueses nga Baldushku i Tiranës, Zyra Balla, së cilës nuk iu parashikua shpërblimi i lejes vjetore të 2019 në llogaritjen e pensionit, gjeti zgjidhje përmes platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.
Djali i saj Isli Balla, iu drejtua platformës me ankesën e mamasë së tij, e cila kishte 45 vite pune pjesën më të madhe si mësuese e ciklit të ulët, ndërsa vitet e fundit edukatore në kopshtin “Isuf Meçaj”, në Baldushk.
Në maj të këtij viti Balla doli në pension, por vendimi i ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, nuk ishte parashikuar shpërblimi i lejes vjetore të 2019, që nuk ishte kryer.
Me adresimin në platformën e bashkëqeverisjes dhe komunikimin institucional u arrit përllogaritja kësaj shume, vendosja e saj në vendimin e shkëputjes së marrëdhënieve të punës dhe sigurisht kalimi në llogarinë e Ballës.
Balla tha se “pas problemit që ndodhi me pensionin vendosa të shkruaj në platformë edhe pse diçka e vogël, pasi shkruajta aty erdhi zgjidhja shumë shpejt”.
Kryeministri Rama tha se “është diçka e vogël për ty, se për nënën tënde është diçka e madhe”.
“Ju falënderoj per mundimin pasi jeni munduar për të zgjidhur një çështje keni marrë mundimin për të ardhur edhe për të ndihmuar kjo është një ndihme e madhe. Kjo pasi për qytetarët është tjetër gjë kur më shohin mua duke folur, e tjetër gjë kur ju shohin ju. Shumëkush është i prirur të thotë se këto janë fjalë politikanësh, se politikanët kanë të gjithë njësoj. Megjithëse as kafshët e pyllit nuk janë njësoj, as buburrecat nuk janë njësoj, njerëzit s’ka sesi të jenë njësoj dhe politikanët nuk janë njësoj. Dëshmitë tuaja dhe atë atyre që kanë ardhur para jush e atyre që do vijnë pas jush ndihmojnë për të promovuar platformën jo për propagandë siç thotë një intelektual pa shkollë në Facebook, por për t’i dhënë asaj prani në sy të njerëzve dhe për të përcjellë mesazhin se platforma është reale dhe është në dispozicion”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “kam dëgjuar jo pak raste këtu që kanë ardhur dhe kanë thënë po shikoj televizor dhe pashë dikë që po fliste, nuk kanë thanë pashë ty, por panë dikë që vjen nga fshati, dikë që deri dje ishte pa mbështetje, pa përkrahje dhe që e shtynin në trotuar e jo më të futje tek zyra përkatëse e që sot e ka përkrahjen”.
“Çdokush që i shkruan platformës është po aq i fortë sa një deputet, që i shkruan ministrave dhe është edhe më i fortë se ndonjëherë ministrat nuk i përgjigjen deputetëve në telefon. Kurse qytetarëve platforma i përgjigjet gjithmonë pa përjashtim e pa diskutim”, – tha Rama./k.s/























