Tiranë/ Në timon të dehur ose pa patentë, 31 të ndaluar nga Policia Rrugore

TIRANË, 27 Gusht /ATSH/ – Policia Rrugore e kryeqytetit, arreston 31 shtetas për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt

Nisur nga ngjarjet e fundit, me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, ku të dëmtuar kanë mbetur kryesisht këmbësoret dhe motoristët, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tilla dhe rritjen e sigurisë në rrugë, rrugorët e kryeqytetit i janë dedikuar patrullimeve me përzgjedhje për konstatimin dhe procedimin e personave që drejtojnë mjetet dhe motomjetet në mënyrë të parregullt, si dhe të shkeljeve, të cilat janë burim i shtuar për ngjarje rrugore.

Në sajë të kontrolleve të ushtruara gjatë javës, janë konstatuar dhe kapur në kushtet e flagrancës 31 shtetas për veprën penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”, parashikuar në nenin 291 të Kodit Penal, nga të cilët 16 në gjendje të dehur dhe 15 të pa pajisur me leje drejtimi.

Janë pezulluar 113 leje drejtimi, nga të cilat 43 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 41 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 2 për sisteme shtesë pamore dhe zanore, si dhe 27 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Janë proceduar administrativisht 31 drejtues mjetesh për mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara dhe gara me shpejtësi, 8 prej të cilëve janë shoqëruar për verifikime të mëtejshme nga strukturat e tjera policore.

Janë proceduar 367 drejtues mjetesh, për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit.

Përgjatë javës janë proceduar administrativisht 1 671 drejtues mjetesh, për qëndrim dhe pushim të mjeteve në kundërshtim me sinjalizimin rrugor.

Janë verifikuar në kohë 125 ankesa të adresuara nëpërmjet aplikacionit Komisariati Dixhital dhe adresa të tjera të Policise së Shtetit, nga të cilat janë evidentuar dhe proceduar sipas shkeljeve 112 raste

Si dhe janë vendosur 2200 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor

Policia Rrugore e Tiranës, falënderon qytetarët dhe këdo që bashkëpunon në parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe rritjen e sigurisë së përbashkët publike, duke denoncuar shkeljet dhe paligjshmeritë e ndryshme në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital dhe ju siguron për një reagim të shpejtë ligjor ndaj çdo ankese të adresuar.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.