TIRANË, 8 gusht /ATSH/ – Të rinjtë e Smile Albania gjatë këtyre ditëve të nxehta gushti kanë mirëpritur, informuar dhe shoqëruar turistë të shumtë të huaj dhe vendas drejt destinacioneve natyrore të Zonave të Mbrojtura.
“Destinacionet natyrore të Zonave të Mbrojtura shënuan 9.3 % më shumë vizitorë krahasuar me korrikun e një viti më parë”, deklaron ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. Turistët e shumtë të huaj dhe vendas kanë shijuar gjatë këtyre ditëve freskinë dhe bukurinë e tyre nga Lugina e Valbonës në veri e deri tek Syri i Kaltër në Sarandë.
Këto zona tashmë janë kthyer në destinacione turistike mjaft të vizituara për shkak të bukurive natyrore dhe relievit të larmishëm, i cili është i përshtatshëm për turistët, që nga ata që duan të shijojnë natyrën, deri tek turistët aventurierë të cilët mund ta eksplorojnë zonën duke bërë hiking nëpër shtigje të ndryshme.
Zonat e Mbrojtura në Shqipëri vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Prandaj dhe po punohet fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.
Në Shqipëri, zonat e mbrojtura zënë 20% të territorit ose e shprehur ndryshe, 1 në çdo 6 metra katrorë është zonë e mbrojtur. /a.a/























