Ballina Flash

Këshilli i Ministrave miraton disa ndryshime në ligjin “Për mediet audiovizive në Shqipëri”

TIRANË, 5 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 97/203 “Për mediet audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Sipas KM, në ligjin nr.97/2013, “Për mediet audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, janë bërë disa ndryshime.

Ky ligj rregullon të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e personave fizikë dhe juridikë, që ofrojnë shërbime audio, audiovizive dhe shërbime të publikimeve elektronike, nëpërmjet rrjetit të komunikimeve elektronike, si dhe promovimin e pluralizmit të medias dhe çështjeve të tjera me rëndësi për shërbimet mediatike, në përputhje me konventat dhe standardet ndërkombëtare.

Ky ligj zbatohet për transmetimet audiovizive lineare, transmetimet audiovizive jolineare, shërbimet mbështetëse të tyre dhe për shërbimet e publikimeve elektronike.
Në pikën 3, emërtimi “Autoriteti i Medieve Audiovizive” zëvendësohet me “Autoriteti i Medieve Shqiptare”.

Pas pikës 17 shtohet pika 17/1, me këtë përmbajtje: 17/1. Ofruesi i Shërbimit të Publikimeve Elektronike (OSHPE) është personi fizik ose juridik, pavarësisht nëse është i regjistruar ose jo si i tillë në Regjistrin e Ofruesve të Shërbimeve Mediatike, i cili ofron shërbimet e publikimeve elektronike, siç janë përcaktuar në pikën 26/1, të këtij neni.
“Publikimi elektronik”, nënkupton faqe interneti me përmbajtje të formësuar editoriale dhe/ose portale që përmbajnë versione elektronike të medias së shkruar dhe/ose informacione mediatike të ofruara për publikun, me qëllim argëtimin, informimin dhe edukimin.

“Media elektronike”, është program ose përmbajtje programi audio dhe audioviziv, përmbajtje programi e ofruar për publikun, nëpërmjet mjeteve elektronike të komunikimit dhe përmbajtje e publikimeve elektronike.

Sipas Këshillit të Ministrave ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. /k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBeqaj: Zgjedhjet e 30 qershorit të ligjshme
Artikulli tjetërRruga Gjakovë-Qafë-Morinë-Tropojë merr emrin e kongresmenit amerikan Eliot Engel