Ballina Flash

Ndreu: Pas 30 qershorit ndryshim radikal, do të marrim në dorë qytetin turistik të Lezhës

TIRANË, 25 qershor/ATSH/- Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Lezhës në zgjedhjet e 30 qershorit, Pjerin Ndreu, deklaroi sot se “Lezha ka shumë potencial, është fenomen turistik dhe në kulinari. Ne do të marrim në dorë qytetin, do e ridizenjojmë dhe do bëjmë një ndryshim radikal, edhe në njësitë administrative ku investimet janë në nivelin zero”.

Në një intervistë për ERTV, Ndreu theksoi se “të gjithë janë dakord se në Lezhë nuk është punuar, duhet ndërtuar një histori e re, sepse askund më shumë se në Lezhë nevoja e ndryshimit nuk shihet. Ajo që është e qartë, ne kemi marrë mbështetje për të ndërhyrë në këtë gjendje skandaloze, me njerëz që paguhen në bashki, por jetojnë jashtë shtetit”.

Sipas tij, kjo është një histori banale që duhet të marrë fund.

Duke u ndalur në lagjen “Besëlidhja”, një prej lagjeve kryesore ku infrastruktura është në gjendje të rëndë, Ndreu tha se “është një situatë skandaloze, në zemër të qytetit që nuk e gjen as në fshatin më të humbur të Shqipërisë”.

“Pamjet flasin se si në zemrën e qytetit, në lagjen “Besëlidhja”, Bashkia nuk ka bërë dot as 80 metra rrugë. Edhe gropat i kanë mbyllur me dheun, çfarë tregon për paaftësi totale dhe keqmenaxhim të taksave dhe granteve. Vetëm për 2018 bashkia Lezhë ka një performancë skandaloze, pasi vetëm 4 % e ka përdorur për investime dhe për rroga. Ka degraduar nga bashki shërbimi, në bashki punësimi, duke punësuar militantët dhe njerëz me lidhje miqësore e familjare”, theksoi Ndreu.

Plani im emergjent, vijoi ai, është vendosja e një strukture të re funksionale në bashki, ku duhet rikompozuar mënyra e të vepruarit dhe komunikuarit me njerëzit.

“Duhet një politikë shumë agresive me mirëmenaxhimin e fondeve.. Aty ka probleme me ujësjellës, kanale që nuk janë prekur fare. Bashkia është një godinë që nuk pret njerëz, nuk zgjidh problem të banorëve. Ne do të ndërtojmë një bashki ku çdo njeri do të ketë detyrën t’i përgjigjet qytetarëve”, – nënvizoi Ndreu.

Ndreu theksoi se tashmë ka gati një program të hartuar pas konsultimeve me 14 tryeza sipas fushave të interesit./k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakThaçi dekoron me Medalje Presidenciale Gani Sylajn
Artikulli tjetërSalla: Në 30 Qershor të rinjtë e Cërrikut votojnë së pari për të ardhmen e tyre