Basha po punon kundër interesit të vendit

TIRANË, 20 qershor/ATSH-Maela Marini/ “Lulzim Basha po punon kundër interesit të vendit që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos hyjë në BE”, – deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Në një takim elektoral me banorët e Paprit, në Elbasan, Balla tha se “këto ditë janë turrur e janë bërë të gjithë bashkë për të hedhur baltë dhe bërë pis PS-në”.

“Po thonë se PS në 2017 fitoren e vetë e paska blerë me para. Luli ka qenë këtu në 2009 por e kujtoni se çfarë lloj-lloj kriminelësh nga çdo cep i Shqipërisë solli me vete për të bërë presion. Në 2017, Monika me Dash Gjikën shkuan lagje më lagje, shtëpi më shtëpi, duke premtuar Iphone. 1 mijë Iphone me nga 1 mijë euro bëjnë 1 milionë euro”, – tha Balla.

Pavarësisht kësaj, Balla tha se “kjo nuk do të thotë se nuk duhet të vijojmë punën për të shtrënguar të gjithë kuadrin ligjor dhe të bëjmë një reformë zgjedhore të plotë për të parandaluar çdo lloj përpjekje për të ndikuar te rezultati zgjedhor”.

“Por ne nuk duhet të pranojmë kurrsesi që një tufë anadollakësh, njerëzish të shpërdoruar, të bëjnë pis Shqipërinë sot. Forca e ligjit do të veprojë dhe kush bën krime zgjedhore ta harrojë se mund të dalë më nga Shqipëria. Edhe në SHBA obstruksioni i demokracisë është vepër penale. T’i vësh zjarrin shkollave këtë nuk e bën as pushtuesi”, – tha Balla.

Zgjedhjet e 30 qershorit sipas Ballës janë të vështira, sepse kundërshtari do t’i heqë popullit të drejtën për të zgjedhur.

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Elbasanit, Gledian Llatja tha se “duke mbështetur PS-në në 30 qershor, mbështesni zhvillimin e Elbasanit, të zonave rurale, biznesin e vogël, zhvillimin e ekonomisë e punësimin”.

“Kemi bërë shumë investime por nuk kemi bërë gjithçka”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.