Rritet obeziteti, Manastirliu: Plan kombëtar veprimi për mirëushqyerjen e fëmijëve

TIRANË, 10 qershor/ATSH/-Treguesit shëndetësor të gjendjes nutricionale për fëmijët 0-5 vjeç në Shqipëri janë përmirësuar në 10 vjeçarin e fundit, kryesisht sa i takon rënies domethënëse të numrit të fëmijëve nënpeshë, por po kthehet në shqetësim obeziteti tek fëmijët mbi 5 vjeç.

“Sipas studimit të fundit demografik dhe shëndetësor vërehet një rënie me 6% e numrit të fëmijëve mbipeshë të grupmoshës 0-5 vjeç në 10 vjeçarin e fundit, por ka një kembanë alarmi për sa i takon mbipeshës dhe obezitetit tek fëmijët 8-9 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP, 22% e tyre janë mbi peshë, prej të cilëve 10% janë obezë”, deklaroi Ministrja Manastirliu në fjalën e saj gjatë Forumit Shkencor mbi Shëndetin dhe Mirëqënien e Fëmijëve.

Nisur nga të dhënat e studimit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se duhet ndërmarrë menjëherë për një plan kombëtar për mirëushqyerjen e fëmijët.

“Do të ndërmarrim një plan kombëtar veprimi me tre komponentë. Shëndetin e gruas shtatzënë, nxitjen e ushqyerjes me gji dhe mirëushqyerjen e fëmijëve”, tha Manastirliu.
Duke theksuar rëndësinë e mirërritjes së fëmijëve, përmes ofrimit të mundësive për një ushqim të shëndetshëm, manastirliu u ndal te nxitja e kulturës së sjelljeve të shëndetshme që në vogëli.

“Ndryshimi i menuve në çerdhe dhe kopshte që u zbatua në Tiranë, do të shtrihet në të gjithë vendin, sepse mirëushqyerja që në vogëli duhet të jetë prioritet kombëtar”, tha Manastirliu.

Studimi i fundit demografik dhe shëndetësor (ADHS) tregon qartë se në 10 vjeçarin e fundit ka tregues të përmirësuar të gjendjes nutricionale të fëmijëve 0-5 vjeç. Aktualisht vetëm 11% e fëmijëve janë të shkurtër për moshën (stunting) krahasuar me 19% që raportohej 10 vite më parë. Sipas studimit, vetëm 2% janë të dobët për gjatësinë e tyre krahasuar me 9% që raportohej në 2008.

Nga ana tjetër, ka një rënie me 3% të numrit të fëmijëve nënpeshë, një tregues i progresit socio-ekonomik të vendit. z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.