Ballina Aktualitet

Zgjedhjet e 30 qershorit, Lleshaj apel qytetarëve: Verifikoni emrat në lista

TIRANË, 31 maj/ATSH-A. Fortuzi/ – Ministria e Brendshme ka publikuar më 25 maj, sipas Kodit Zgjedhor listën përfundimtare të zgjedhësve. Në këtë kuadër, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i ka bërë thirrje shqiptarëve të verifikojnë emrat në listat e zgjedhave.

“Në 30 qershor 2019 mbahen zgjedhjet për Njësitë e Qeverisjes Vendore. Çdo shtetas që deri në 30 qershor mbush moshën 18 vjeç, ka të drejtën kushtetuese të votës”, thekson Lleshaj.

“Pranë çdo njësie të qeverisjes vendore apo KZAZ-je janë shpallur listat zgjedhore. Aty mund të verifikoni emrin tuaj në listë dhe qendrën e votimit. Emrin në listë mund ta verifikoni edhe duke kontrolluar on-line në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme apo KQZ: www.mb.gov.al – www.cec.org.al Për çdo pyetje apo paqartësi mund të shkruani në adresën e e-malit: [email protected] “, bën të ditur Lleshaj, ndërsa ka publikuar dhe një video demonstruese.

Më datë 25 maj 2019 Ministria e Brendshme njoftoi publikimin e listës përfundimtare të zgjedhësve. Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3.536.015 shtetas shqiptarë, ndër ta, 132.788 zgjedhës votojnë për herë të parë; 51% e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49% femra.

Lista Përfundimtare e Zgjedhësve ka përmirësime të dukshme në raport me zgjedhjet e kaluara, qoftë ato për pushtetin vendor të vitit 2015, ashtu edhe ato parlamentare të vitit 2017.

Për herë të parë u arrit të zbardheshin adresat e sakta për rreth 285 mijë zgjedhës, të cilët në vend të adresës së vlefshme kishin kodet 999, 888 dhe 000 në listën zgjedhore, duke i eliminuar këto kode.

Në listën e përditësuar janë hequr dublikimet dhe votuesit mbi 100-vjeçarë, si dhe emrat e personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të “Dekriminalizimit”.

Ministria e Brendshme thekson se i gjithë procesi i hartimit të Listës Përfundimtare të Zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve teknicienë të KQZ-së, të cilët kanë pasur akses të plotë në çdo etapë të këtij procesi. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakQendra e Kulturës dhe Kreativitetit, frymë modernizmi në qendrën e Korçës
Artikulli tjetër70-vjetori i themelimit, Arkivi Shtetëror hap dyert për publikun