Ballina Flash

Veliaj i dorëzon “Çelësin e Qytetit” familjes së arkitektit që hodhi themelet e Tiranës europiane

TIRANË, 21 maj/ATSH/ – Familja e arkitektit dhe urbanistit të njohur italian, Gherardo Bosio, i cili hodhi themelet e godinave kryesore në Tiranë, u prit në një takim të veçantë nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në shenjë mirënjohje për veprat që la arkitekti i guximshëm italian në ndërtimin e qytetit modern, Veliaj i dorëzoi pasardhësve të tij “Çelësin e Qytetit”, simbolin e të pasurit gjithmonë një derë të hapur në kryeqytet.

“Në shenjë mirënjohje, dua t’ju jap “Çelësin e qytetit” të Tiranës. Duke qenë se gjyshi juaj ka themeluar qytetin tonë modern, besuam që ishte e udhës, që në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës, t’ju falenderonim e t’ju trajtonim si të shtëpisë, duke ju dhënë edhe çelësin e qytetit tonë”, – tha Veliaj.

Gherardo Bosio nuk ka hedhur vetëm themelet e ndërtesave fizike, por ka themeluar edhe një mentalitet të ri të planifikimit urban. Veliaj nënvizoi se edhe në këto ditë të vështira ku shpesh herë ndërtesat historike dhe ato të trashëgimisë vandalizohen, qyteti mundohet në kohë rekord t’i rikuperojë dhe t’i ruajë për t’ia lënë trashëgimi brezave.

“Edhe në këto ditë të vështira që po kalon Shqipëria, ku shpeshherë ndërtesat historike të trashëgimisë, vandalizohen, qyteti mundohet që t’i rikuperojë në kohë rekord, t’i ruajë, për t’ia lënë trashëgimi brezave. Kur shoh se si debatet mbi çfarë duhet të qëndrojë në qytet, pra ndërtesat e vjetra, të degraduara, apo ndërtesat e përkohshme, për të vetmen gjë që nuk ka debat janë ndërtesat e Bosios, që ka themeluar, le të themi, një arkitekturë të re në Shqipëri, që janë bazat e çfarë është estetike, e bukur dhe çfarë është me vlerë në qytetin tonë”, – shtoi kryebashkiaku Veliaj.

Marie Lou Busi, mbesa e arkitektit italian, falenderoi Veliajn për nderimin ndaj familjes së saj dhe për kujdesin që tregohet në ruajtjen e veprave për të cilat Gherardo Bosio punoi me pasion për t’i dhënë Tiranës një fizionomi europiane.

“Jam shumë e emocionuar, por edhe shumë krenare, e mezi pres që të mund t’u tregoj gjithçka të këtushme vajzave, që përmes punës sime, përmes jush, të përjetojnë figurën e babait me krenari dhe emocion. Faleminderit që çoni përpara emrin dhe figurën gjeniale dhe krijuese të këtij njeriu. Faleminderit të gjithëve për gjithë punën e bërë dhe për faktin që mbani gjithë këto vepra për të cilat ai ka punuar me shpirt”, – u shpreh Marie Lou Busi.

Krahas planeve urbanistike, Bosio në Tiranë realizoi Universitetin, Akademinë e Arteve, Kolonadën me Institutin Arkeologjik, stadiumin “Qemal Stafa”, Kryeministrinë, Hotel Dajtin, Pallatin e Brigadave me gjithë parkun e mobiliet unike të tij, si dhe skicoi trajtat planivolumetrike të Pallatit të Kulturës, Muzeut Kombëtar etj. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRegjistrimi i pronave, Lame: Lehtësuam shërbimet, 50 mijë prona në proces legalizimi
Artikulli tjetërPension suplementar, ja sa përfitojnë 3 kategoritë e profesioneve të veçanta