Pension suplementar, ja sa përfitojnë 3 kategoritë e profesioneve të veçanta

TIRANË, 21 maj /ATSH/ – Projektligji për “Trajtimin Financiar shtesë të profesioneve të veçanta, minatorëve, naftëtarët dhe metalurgët” synon të mbulojë me përfitim përpara mbushjes së moshës për pension dhe përfitime shtesë mbi ato që akordohen në ligjin aktual për këto tri kategori.

Gjatë diskutimit të këtij projektligji në Komisionin e Ekonomisë, kryetari i komisionit, Arben Ahmetaj tha se, mosha e daljes në pension për minatorët parashikohet të jetë 55 vjeç, pra 10 vite para moshës ligjore të daljes në pension, ndërsa për naftëtarët dhe metalurgët do të jetë 60 vjeç, ose 5 vite para moshës ligjore të daljes në pension.

Gjithashtu, theksoi ai, projektligji parashikon një shtesë mbi pension për minatorët 1% të pensionit të pleqërisë për çdo vit pune në nëntokë dhe për naftëtarët e metalurgët 0,6% e pensionit për çdo vit pune në këto profesione.

Bazuar në vjetërsinë e punës, minatorët përfitojnë një shtesë mbi pension minimalisht 12,5% dhe naftëtarët e metalurgët 12%.

Për sa i përket pensionistëve aktualë, shtesa llogaritet në 2900 lekë në muaj, kurse për ata të rinj, edhe 1400 më tepër, si rezultat i uljes së moshës së daljes në pension. Koeficienti i kthimit të kontributeve është 340% për minatorët, 157% për naftëtarët dhe metalurgët. Pra për çdo lek kontribut, minatorët përfitojnë 3,4 lekë dhe naftëtarët e metalurgët 1,57 lekë. /e.xh/ a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.